Ish-eprori i UÇK-së, Uk Lushi, i cili jeton dhe vepron në ShBA, ka vazhduar kritikat ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti,.
Ai ka vlerësuar se organet e VV-së e kanë për detyrë që të parin e tyre ta sjellin në vete.
Në profilin e tij në “Facebook”, Lushi ka shkruar se Kurti VV-në po e shfrytëzon si parti personale.
“Anëtarësia dhe organet udhëheqëse të VV-së e kanë detyrë partiake dhe kombëtare ta sjellin Albin Kurtin në vete. VV nuk është vetëm Kurti. Shqiptarët patriotë dhe të mençur në VV nuk duhet të lejojnë që Kurti të sillet si pronari absolut i VV-së. Mjaft e ka shfrytëzuar Kurti partinë si parti personale. Asnjë lider shqiptar, përpos Enver Hoxhës, nuk është më gjatë në krye të një partie se Albin Kurti”, ka shkruar ai.
Sipas tij, Kurti po do monopol mbi kombi.
“Partia nuk është kombi. Partia është një pjesë e kombit që duhet të bashkëpunojë me partitë apo pjesët tjera të kombit. Kurti do monopol mbi kombin, por njerëzit e ndershëm në VV dhe që vegjetojnë rreth Kurtit nuk duhet të frikohen nga Kurti. Të gjithë duhet ta vendosin kombin dhe partinë VV mbi Kurtin. Albin Kurti ka marrë personalisht vetëm paga mbi 1 milionë euro nga VV, shteti i Kosovës dhe shqiptarët kudo. Ka përfituar privilegje të panumërta pa punuar asnjë ditë të vetme jashtë VV-së dhe politikës. VV nevojit lider dhe qasje të re. Kurti nuk di më shumë se sa konflikti dhe bllokimi”, ka shkruar ai.