Lushaku-Sadriu: Jemi duke shkuar drejt zgjedhjeve, partia më e madhe nuk po prodhon zgjidhje

- Advertisement -

Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovë, Jehona Lushaku-Sadriu ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti lidhur me zgjedhjet e reja.

Ajo ka thënë se deklaratat që Kurti ka bërë e tregojnë tendencën e tij dhe shpjegojnë idenë që e ka ai prapa.

“Së pari deklaratat që zoti Kurti ka bërë për cikël zgjedhjesh e tregojnë me gjasë edhe tendencën e tij edhe e shpjegojnë krejt idenë mbrapa. Ne sot sapo e përfunduam mbledhjen e kryesisë dhe pamë një agjendë të ngjeshur që po vendos anëtarë të rinj të bordeve dhe ka një shpërfaqje totale për tendencën për kapje institucionale.

Krejt kjo dinamikë e shpjegon që ne jemi duke shkuar në zgjedhje, por jemi duke shkuar në zgjedhje sepse partia më e madhe nuk po prodhon një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit. Është partia më e madhe që ka numrin më të madh të deputetëve dhe që në bazë të kushtetutës i takon përgjegjësia më e madhe për ta zgjedhur presidentin.

Dhe vërtet është fatkeqësi; një është për shkak se është tepër fatkeqësi kur qytetarët e shohin si potencial për të qeverisur, ia besojnë dikujt me një masë aq të madhe, dhe në anën tjetër nuk kemi as qeverisje të mirë e as zgjidhje të problemeve kyçe. Por në zëvendësim të kësaj, Vetëvendosje po na jep një krizë të re politike ku qytetarët do të lihen të vetëm, e ai do të qeverisë kryeministri do të qeverisë i pambikëqyrur. Domethënë tipike për një sistem autoritar ku një kryeministër dëshiron të prodhojë më shumë kriza për të qeverisur i pambikëqyrur. Dhe vërtet kjo është shqetësuese.

Por në anën tjetër edhe tendenca për t’i kapur të gjitha institucionet, duke përfshirë bordet shikojeni agjencionin për akreditim të institucioneve të arsimit të lartë. Ne sot jemi dëshmitarë të futjes në pikë, të kalimit të bordit të kësaj agjencie me shpejtësi të dritës, me kandidatë të paverifikuar edhe me procedura të shkelura brenda institucioneve që i kanë zgjedhur ato.

Ne do të jemi dëshmitarë që para syve tanë të shohim një kapje totale të institucioneve që në kushte normale dhe në bazë të kushtetutës tonë duhet të ishin të pavarura. Por partia më e madhe i ka numrat dhe po ia mundëson vetes që t’i kapë këto institucione”, tha Lushaku.

Të ngjashme

Të fundit