163 sportistë do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” në Itali. Ekipi kosovar është prezantuar këtë të diel në Prishtinë.
Mbërritën të parët dhe me veshje të njëjta.
Ky është ekipi që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” në Itali, të cilat do të zhvillohen nga 21 gushti deri më 3 shtator 2026 dhe do të mbledhin mbi 20 shtete pjesëmarrëse nga rajoni i Mesdheut.
Për herë të parë, Kosova do të përfaqësohet në volejboll me të dyja kombëtaret, atë të meshkujve dhe të femrave.
Në ceremoninë e mbajtur këtë të diel në Prishtinë, janë prezantuar të gjithë sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë garë.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës ka vlerësuar lart 163 sportistët garues.
“Në Taranto, Kosova do të jetë më e madhe se kurrë më parë në Lojërat Mesdhetare. Do të jemi 163, me 87 meshkuj dhe 76 femra, të cilët do të garojnë në 21 sporte. Ky është delegacioni më i madh i Kosovës në historinë e pjesëmarrjes sonë në ngjarjet më të mëdha sportive. Por ka edhe një tjetër shifër që meriton të theksohet këtu, sepse për herë të parë Kosova do të paraqitet me katër sporte ekipore: futboll, volejboll, hendboll dhe basketboll 3×3”, është shprehur ai.
Se kjo është një mundësi e artë për Kosovën ka vlerësuar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Pas secilës medalje, secilës fitore dhe çdo flamuri të Kosovës që është ngritur në arenat ndërkombëtare, qëndrojnë vite pune, sakrifice, disipline dhe besimi. Këto janë vlera që sporti i kultivon më së miri dhe të cilat i duhen shoqërisë sonë. Sportistët tanë kanë dëshmuar se, pavarësisht madhësisë së vendit, mund të kemi rezultate të mëdha. Në garat më të rëndësishme ndërkombëtare, ata kanë bërë që emri i Kosovës të dëgjohet, flamuri shtetëror të valëvitet dhe himni të intonohet me krenari”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkaq, trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, i cili qëndron pas disa prej sukseseve të sportistëve kosovarë, ka theksuar se është krenar me arritjet e Kosovës në sport.
“Kosova, ndonëse e vogël, me rezultate sportive është shumë e madhe, por tash edhe me organizime sportive. Kjo është shumë e rëndësishme për ne si popull, por veçanërisht e rëndësishme për komunitetin sportiv”, është shprehur Kuka.
Ndërsa fituesja e shumë medaljeve në Lojërat Olimpike, Laura Fazliu, ka deklaruar se sportistët kosovarë do të japin maksimumin në këto Lojëra Mesdhetare.
“Është nder i madh për mua ta përfaqësoj Kosovën në Lojërat Mesdhetare për herë të tretë. Ne si garues, qëllimi ynë është, si çdo herë tjetër, ta ngremë flamurin e Kosovës sa më lart. Prandaj, në emër të ekipit, ju premtoj se do ta përfaqësojmë shtetin tonë të Kosovës sa më mirë që mundemi. Jemi përgatitur shumë për këto lojëra dhe besoj shumë që do të kthehemi me medalje”, ka deklaruar Fazliu.
Në fund të ceremonisë është bërë edhe dorëzimi i flamurit të Kosovës nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ndryshe, në vitin 2030 Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare.






