Me rastin e festës së 28 Nëntorit, në Seancën solemne të Kuvendit të Drenasit kushtuar kësaj date historike të kombit, kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, ka publikuar fjalën e tij të plotë në rrjetin social.
Deklarata e z. Lladrovci:
Fjalimi im, në Seancën solemne të Kuvendit të Drenasit, kushtuar 28 Nëntorit:
Qytetarë të komunës në zemrën e Kosovës,
Urime 28 Nëntori, festa e katërfishtë e kombit tonë. Data e kthimit të Skënderbeut në Krujë, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, Ditëlindja e Komandantit tonë legjendar, Adem Jasharit dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot, në pesë grupe të ndara, për festën, për ditën më të çmuar të kombit tonë, me asamblistë dhe zyrtarë të komunës, kemi vendosur buqeta me lule dhe kemi nderuar dëshmorët dhe martirët në 22 vendndodhje të komunës tonë.
Bashkë me qindra familjarë e qytetarë të komunës tonë, jemi përkulur para jetës dhe veprës së dëshmorëve dhe martirëve të komunës së Drenasit.
Ne kemi bërë nderim për jetën dhe veprën e tyre, njëherësh, duam ta ritheksojmë se nderimi ynë do të jetë i përhershëm, përkushtimi i tyre atdhetar, do të kujtohet ndër breza.
Të nderuar të pranishëm,
Është obligim për neve të dëshmojmë se idealet e dëshmorëve për lirinë e Kosovës, janë realizuar. Ne, të cilët kemi qenë bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë të tyre, kemi detyrim edhe më të madh, ta mbajmë gjallë optimizmin dhe angazhimin që ta bëjmë Kosovën sa më të mirë, krah shteteve euro-atlantike.
Në këtë Kuvend, edhe ky 28 nëntor, për herë të shtatë na gjen këtu pa praninë fizike të heronjve tanë të luftës dhe paqes, pa Hashimin, Kadriun, Bacën Jakup, Rexhën, Calin e Pjetrin.
Padrejtësia nga fuqitë e mëdha, janë të njohura për kombin tonë. Ato na lënduan rëndë në Kongresin e Berlinit, për tu rikonfimuar fryma kolonialiste e fuqive të mëdha dhe orekseve të shteteve fqinje si shërbëtorë të tyre në Londër e Paris, na goditën rëndë.
Edhe këtë 28 nëntor, kujtojmë padrejtësitë ndaj shqiptarëve, ato nuk mund të korrigjoheshin as pas luftërave çlirimtare në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe Maqedoninë e Veriut. Hiç këtu situatën e shqiptarëve në shtetet tjera në Ballkan, duken si të zgjidhura, por, janë larg nivelit të vlerave evropiane apo të Bashkimit Evropian.
Zonja e zotërinj,
Qytetarë të nderuar,
Kjo padrejtësi ndaj shqiptarëve, manifestohet në shumë mënyra. Tendenca e disa partive në Evropë për të barazuar gjenocidin serb me angazhimin në luftën çlirimtare, është tepër e dhimbshme. Krerët e UÇK-së, heronjtë tanë të luftës dhe paqes, janë duke përjetuar dhe po ballafaqohen me padrejtësinë e shekullit.
Ndërsa proceset integruese për Kosovën, janë vështirësuar më shumë se për çdo shtet tjetër që ka aspiruar integrimin evropian në dekadat e fundit, për ata që kryen krime në Kosovë, hapen perspektiva.
Duhet ta themi hapur, gjyqësia në Kosovë, organet e sigurisë, demokracia, liritë dhe të drejtat e njeriut, policia, ushtria, administrata dhe sferat tjera institucionale, janë më të mirat në rajon, por, ne nuk vlerësohemi si shtet në procesin integrues, jo vetëm për kontestimin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian, por bëhet ndëshkimi i Kosovës dhe heshtja e prioriteteve tona.
Kësaj situate absurde, për fat të keq, i është bërë argati. Kemi humbur besimin e aleatëve dhe hapin në sferat tepër të ndjeshme si mos përmbushja e obligimeve ndërkombëtare, arroganca dhe veprimet e pa harmonizuara me aleatët, marrëdhënien strategjike me Amerikën, kemi shkelur pa nevojë besimin e shteteve që na ndihmuan të çlirohemi dhe të bëhemi shtet. Për më keq, jemi treguar mosmirënjohës apo jo falënderues.
Dihet se pa angazhimin tonë, fillimisht në lëvizjen paqësore e pastaj angazhimi në luftë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pa Shqipërinë, pa Amerikën dhe Bashkimin Evropian, pa NATO-n, Kanadanë, Turqinë, Izraelin, Australinë dhe shtetet tjera mike, liria dhe çlirimi i Kosovës do të ishte i pamundur. Këtë nuk guxon ta harroj asnjë politikan që synon t’i prij qytetarëve të Kosovës.
Me çka mund të lavdërohemi në këtë 28 nëntor?
Ta mendojmë thellë në veten tonë, pikërisht sot:
A mund të punojmë më shumë, a mund të krijojmë ambient për rininë tonë që të mos shpërngulet, të kemi ujë, energji, ambient të pastër, investime dhe vende të reja pune, diplomaci dhe perspektivë. Bindja ime është Po. Mundemi më mirë, meritojmë më mirë, mund të krijojmë gjasa e mundësi të barabarta për të gjithë.
Zonja e zotërinj,
Gëzuar 28 nëntori, festa e katërfishtë e kombit tonë!
Uroj që mësimet e historisë të mos harrohen, për mikun mik, për armikun gati!
Uroj që 28 nëntori i ardhshëm, në këtë Kuvend, heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashimin, Kadriun, Bacën Jakup dhe Rexhën, të jenë te familjet e tyre dhe në mesin tonë.
Qytetarë të dashur,
Shqiptarë kudo jeni, urime 28 Nëntori!
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
https://www.facebook.com/share/p/19ZHRDnwMr/?mibextid=wwXIfr






