Me rastin e kalimit në amshim, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci e ka përkujtuar Ilir Çallapekun, duke e quajtur “djalë trim dhe i përkushtuar, atdhetar i flaktë dhe besnik me vepra”.
“Me Ilirin vazhdova bashkëpunimin edhe në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, në kuadër të Gardës së Kosovës, të Grupit për Reagim të shpejtë, ku isha zëvendës Komandant i Gardës së Kosovës, për të vijuar me raportet e shkëlqyera me takime formale e joformale edhe kur ishte pranë ish kryeministrit e ish presidentit Thaçi”, ka shkruar Lladrovci.
Postimi i plotë:
Më tronditi pa masë, lajmi se nga ne fizikisht u largua, ushtari i “Brigadës 111 Adem Jashari” të UÇK-së, Ilir Çallapeku.
Iliri i takonte rinisë e cila zemrën e kishte përplot guxim për liri, kjo shihej nga dita e parë kur e takova me shumë bashkëluftëtarë, shokë e familjarë të mi rrugës për në front ku lufta çlirimtare ftonte bijat e bijtë e saj më të devotshëm. Ai i mbeti besnik idealeve të Komandantit legjendar Adem Jasharit, deri në çlirimin e vendit.
Me Ilirin vazhdova bashkëpunimin edhe në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, në kuadër të Gardës së Kosovës, të Grupit për Reagim të shpejtë, ku isha zëvendës Komandant i Gardës së Kosovës, për të vijuar me raportet e shkëlqyera me takime formale e joformale edhe kur ishte pranë ish kryeministrit e ish presidentit Thaçi.
Ai ishte djalë trim dhe i përkushtuar, atdhetar i flaktë dhe besnik me vepra. I tillë ishte edhe në takime, me shokë e miq, e sidomos me bashkëqytetarët tanë i cili dallohej për sinqeritetin dhe punën e palodhshme për kauzat e qytetarëve në terren.
Jeta dhe vepra e Ilir Çallapekut mbetet e paharrueshme!
Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të tij!
I përjetshëm është kujtimi për Ilir Çallapekun!
https://www.instagram.com/p/CzTr-j8tt1d/