Në prag të vendimit të Dhomave Specializuar të Kosovës për ish-krerët e UÇK-së, platforma “Liria ka Emër” ka filluar një fushatë të re sensibilizuese në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Fushata e re ka nisur me vendosjen e një baneri në ku shihen fotografitë e ish-krerëve të UÇK-së.
Ismail Tasholli nga kjo platformë ka dhënë detaje për këtë fushatë.
“Po, nëse ju kujtohet në fjalimin e fundit, në marshin e fundit që u mbajt, atje thuhet që me kaq nuk do të ndalemi. Dhe kjo është nisja e një aktiviteti ose fushatë krejt tjetër dhe krejt ndryshe që ka ndodh sot me këtë çka po shihni mbrapa, dhe do të jenë aktivitete që do të zgjasin një muaj, një muaj e gjysmë dhe janë të planifikuara dhe janë brenda kalendarit organizativ të ‘Liria ka Emër’”, ka thënë ai, duke treguar se çka do të përmbajë kjo fushatë.
“Po, do të ketë aktivitete më shumë simbolike, jo më me idenë dhe qëllimin e një marshi tjetër, por do të jenë aktivitete, nëse mund të themi, të kombinuara me artistë të ndryshëm, me mesazhe të ndryshme, por gjithsesi me kohë do t’ju lajmërojmë për secilin aktivitet veç e veç sepse kalendari tash është i mbushur”, është shprehur Tasholli, raporton EO






