Lëvizje e re e ushtrisë amerikane në Kosovë, zëvendësohet Garda Kombëtare

- Advertisement -

Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të dërgojë trupa të reja në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it, duke zëvendësuar njësitë e Gardës Kombëtare të Floridës dhe Kolorados.

Sipas njoftimit të Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, në Kosovë do të dislokohen ushtarë nga Regjimenti i 2-të i Kalorësisë dhe njësi mbështetëse të Divizionit të Parë të Këmbësorisë. Ata do të zëvendësojnë Brigadën e 53-të të Këmbësorisë së Gardës Kombëtare të Floridës.

Po ashtu, pjesë të Brigadës së Aviacionit Luftarak të Divizionit të Parë të Këmbësorisë do të zëvendësojnë Batalionin e 2-të të Regjimentit të 135-të të Aviacionit të Gardës Kombëtare të Kolorados.

Ky rotacion vjen në kuadër të përpjekjeve të NATO-s për të optimizuar strukturën e KFOR-it, pas një rishikimi të realizuar nga Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE).

Sipas njoftimit, ndryshimet pasqyrojnë përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe synojnë një përshtatje graduale të misionit, në varësi të rrethanave, në mënyrë që KFOR-i të vazhdojë të jetë i gatshëm për përmbushjen e detyrave të tij. Në këtë proces, aleatët evropianë pritet të marrin përgjegjësinë kryesore, në përputhje me kalimin drejt konceptit të NATO-s 3.0.

Rotacioni shënon gjithashtu një ndryshim në mënyrën e angazhimit të trupave amerikane në Kosovë, nga njësitë e Gardës Kombëtare drejt forcave të dislokuara përmes strukturave ushtarake të teatrit të operacioneve, duke ruajtur mbështetjen e vazhdueshme për KFOR-in.

Koloneli Samuel Sargent, duke folur për përfundimin e misionit të Brigadës së 53-të të Këmbësorisë, tha se shërbimi përkrah aleatëve dhe partnerëve të NATO-s në Kosovë ishte nder për ushtarët amerikanë, raporton IndeksOnline.

Ai vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e pjesëtarëve të brigadës, duke shprehur bindjen se njësia e re do të vazhdojë të forcojë përpjekjet e KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Ndërkaq, koloneli Jabari M. Miller, komandanti i ardhshëm i Komandës Rajonale – Lindje, deklaroi se Divizioni i Parë i Këmbësorisë dhe Regjimenti i 2-të i Kalorësisë janë të nderuar që do ta marrin përsipër këtë mision.

Ai theksoi se trupat amerikane janë të përgatitura për të punuar së bashku me aleatët dhe partnerët e NATO-s, me qëllim të ruajtjes së një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara kanë riafirmuar përkushtimin për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se do të vazhdojnë koordinimin e ngushtë me NATO-n dhe partnerët gjatë këtij tranzicioni.

Trupat amerikane do të vazhdojnë të kontribuojnë në misionin e KFOR-it, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Të ngjashme

Të fundit