2.9 C
New York
Sunday, December 1, 2024

Buy now

Lenjani i jep fund karrierës me Shqipërinë

- Advertisement -

Ermir Lenjani i ka dhënë fund karrierës së shkëlqyer me Kombëtaren e Shqipërisë pas 10 viteve duke veshur fanellën kuqezi. Mbrojtësi shqiptar që tani aktivizohet me fanellën e skuadrës zvicerane Schaffuhausen ishte pjesë e Kombëtares shqiptare nga viti 2013 deri më 2023.

Në 44 ndeshje të luajtura për kuqezinjtë, Lenjani ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar në një tjetër. Anësori ka shkruar një shkrim të gjatë ku e ka cilësuar si nder dhe krenari që ka veshur fanellën e Shqipërisë për 10 vite. Edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka falënderuar për kontributin e dhënë mbrojtësin e majtë.

Postimi i plotë nga Ermir Lenjani:

10 VITE KUQEZI, 10 VITE KRENARI & REALIZIM I ËNDRRËS SË FËMIJËRISË

Të dashur miq,

Dua t’ju njoftoj se kam vendosur të tërhiqem nga Kombëtarja shqiptare. Një vendim aspak i lehtë, por besoj që është momenti i duhur. Për mua ka qenë gjithmonë nder dhe përgjegjësi e madhe të vesh fanellën e kombit tim.

Jam shumë krenar që emri im është pjesë e historisë së futbollit shqiptar dhe që ëndrra ime e fëmijërisë u realizua në vitin 2016, ku bëmë krenarë kombin kuqezi me përfaqësimin historik për herë të parë në një Kampionat Europian. Kam plot momente të bukura me fanellën kuqezi, që nga debutimi në ndeshjen ndaj Bjellorusisë, te goli i parë në “Elbasan Arena” ndaj Danimarkës, fitorja historike në “Francë 2016” ndaj Rumanisë dhe grumbullimi im i fundit në muajin mars 2023 me Kombëtaren, ku nisi edhe rruga drejt kualifikimit në “Euro 2024”.

I jam falënderues Zotit, familjes time dhe çdo personi që më ka qëndruar pranë në çdo moment. Çdo fillim e ka një fund dhe rrugëtimi im nuk do të ishte i mundur pa trajnerët Gianni De Biasi, Christian Panucci, Edoardo Reja dhe Sylvio Mendes Campos Júnior, të cilët dua t’i falënderoj nga zemra për besimin e dhënë.

Gjithashtu, dua të falënderoj stafin teknik të Kombëtares, Federatën Shqiptare të Futbollit, Presidentin Armand Duka dhe të gjithë shokët e skuadrës që më kanë mbështetur në rrugëtimin më të veçantë të jetës time.

Në fund, falënderimi im më i madh është për tifozët e Kombëtares shqiptare. Në çdo stadium në Shqipëri dhe në Europë jemi ndjerë si në shtëpinë tonë, falë jush, tifozët më të mirë në botë. Tani e tutje jam si të gjithë ju, gjithmonë krah Kombëtares shqiptare dhe djemve kuqezi.

Faleminderit nga zemra shqiptarë. Një kapitull i mbyllur, por një rrugë e përjetshme!.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit