Madje ajo është përzgjedhur në mesin e 10-të kandidatëve nga Agjencia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Njoftimi:

 

Haliti, aktualisht është ushtruese e detyrës së ARBK-së, derisa më herët ka qenë ushtruese e detyrës së Kryeshefes së Inspektoratit në kuadër të MINT-it.

Albanian Post ka kontaktuar Halitin për ta pyetur për “ndikimin” e vëllait të saj deputet për t’u zgjedhur në krye të ARBK-së, por kësaj të fundit i janë dukur pyetjet “joprofesionale”.

“Pyetjet e juaja po më duken jo profesionale, por kjo është çështje e juaja. Më thirre, unë u përgjigja”, tha ajo shkurtimisht.

Për të bëmat e Halitit sa ishte në MINT si Kryeshefe e Inspektoratit pati raportuar Albanian Post edhe më herët.

Ajo në bashkëpunim më ministren Rozeta Hajdari, kishin anuluar një konkurs pa bazë ligjore ku do të pranoheshin 27 inspektorë, meqë pushteti synonte punësimin e militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa si ushtruese e detyrës së ARBK-së, Haliti si e dëgjueshme e pushtetit, kishte vendosur pro pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

Megjithatë, Klan Kosova më vonë kishte njoftuar se ka fituar rastin ndaj Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës në shkallën e parë të Gjykatës Komerciale.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që drejtohet nga Rozeta Hajdari, është bërë “strehë” e njerëzve të afërt me këtë të fundit dhe pushtetin.

Pas raportimeve të Albanian Post, brenda tri dite janë anuluar dy konkurse në MINT.

Më 26 gusht u anulua konkursi për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm, apo Kryeshefit në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit, agjenci shtetërore kjo nën Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë.

Në garën kryesore ishte përzgjedhur Irfan Lipovica i cili ishte nën hetime dhe ishte arrestuar për rastin e keqpërdorimit me rezerva shtetërore.

Ndërkaq këtë të mërkurë, u anulua konkursi i kundërligjshëm i MINT për drejtor të Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Huaja.

Kjo agjenci parashihet të kalojë në kuadër të Qeverisë e ku i kishte hyrë garës për drejtor Zef Dedaj.

“Anulohet konkursi për arsyeje të hyrjes në fuqi të Ligjit për Investime të Qëndrueshme i cili parasheh rikustriuimin dhe ndarjen e AIPNK në dy agjenci”, thuhet në vendim të MINT-it.

Ndërkaq punësimet e familjarëve të ministrave janë intensifikuar edhe në ministritë e tjera.

Në shkurt të këtij viti, Shend Nagavci, djali i Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka nisur punën si kontrollor i distribuimit, në ngrohtoren e qytetit të Prishtinës “Termokos”.

Por, ky nuk është rasti i vetëm kur familjarët e personave të lartë të pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), punësohen nëpër institucione publike: si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal, por edhe janë përfitues të fondeve publike të ndara nga ekzekutivi.

Përveç kësaj, AP kishte raportuar se në listën preliminare të organizatave joqeveritare që janë përfituese të thirrjes publike “Art dhe trashëgimi kulturore”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), figurojnë disa organizata që janë të lidhura me eksponentë të pushtetit.

Njëra prej tyre është organizata “Ec Ma Ndryshe”, të cilën e kishte udhëhequr Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku. I angazhuar në këtë organizatë ishte edhe vëllai i tij, Fati Çeku.

Kësaj organizate Qeveria ia ndau 257 mijë euro. Ky nuk është rasti i vetëm kur nga thirrjet publike që i bën pushteti, përfitues janë njerëz të afërt me pushtetin.

Ndërsa, nga fondi prej 500 mijë eurosh të destinuara nga Zyra e Kryeministrit për OJQ dhe media të minoriteteve, përfitues i 5 mijë eurove kishte qenë Mentor Barani, vëllai i gruas së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Për shkak të shpërndarjes jo të duhur të këtyre mjeteve, dhe për shkak se ankesat e saj nuk ishin marrë parasysh, kishte dhënë dorëheqje nga zyra për Komunitete, Elizabeth Gowing, këshilltare e kryeministrit Albin Kurti.