Latifi: 6 deputetët e kundërshtuan rolin e LDK si servis për pushtetin e Kurtit, dhe mbijetesën e Abdixhikut e Osmanit

- Advertisement -

Analisti Blerim Latifi, ka shkruar në Facebook për situatën politike, ku gjashtë deputetë të LDK-së deklaruan që nuk do e votojnë Bekim Sejdiun për President.

Sipas Latifit, marrëveshja mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut, ishte interesi i Kurtit që Kosova ta ketë një president pa peshë politike,  ndërsa Abdixhiku dhe Vjosa Osmani mos të shkojnë në zgjedhje, pasi me një parti të përçarë e dinë që nuk do marrn rezultat të mirë.

Latifi tha se kjo marrëveshje e kthente LDK-në në “servis të thjesht të Kurtit”, por gjashtë deputetët kundërshtuan këtë “servis”.

Postimi i plotë:

LDK-ja mund të mbetej e bashkuar vetëm në dy mënyra: ose duke qëndruar përnjëmend në opozitë, ose duke u bërë pjesë e rëndësishme e pushtetit, duke marrë, mes të tjerash, edhe Presidencën.

Kurti nuk ua ofroi këtë mundësi, duke e ditur se dy njerëzit që donin me çdo kusht t’i shmangnin zgjedhjet e reja ishin Abdixhiku dhe Vjosa Osmani.

Krejt çfarë Kurti mund t’u ofronte ishte që Abdixhiku dhe Osmani të jepnin një emër jopartiak për president.

Ata u pajtuan me këtë ofertë, e cila, nën emrin e një “presidenti konsensual”, do të përmbushte interesat e palëve në negociata: interesin e Kurtit për ta pasur një president pa bazë reale politike dhe interesin jetik të Abdixhikut e Osmanit për të mos shkuar në zgjedhje, ku ata e dinë se me partinë e përçarë nuk kanë gjasa të arrijnë ndonjë rezultat të mirë.

Kështu, kjo marrëveshje e kthente LDK-në në një servis të thjeshtë për pushtetin e Kurtit dhe për mbijetesën personale politike të Abdixhikut e Osmanit.

Kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së për ta mbështetur këtë marrëveshje është, në thelb, kundërshtim ndaj këtij roli prej servisi.

Jo vetëm LDK-ja, por asnjë parti në botë nuk mund të ngrihet duke shërbyer si servis i partive të tjera. Një parti mund të forcohet vetëm duke pasur identitetin, qëndrimet dhe interesat e veta politike, jo duke u shndërruar në instrument të pushtetit të të tjerëve.

Të ngjashme

Të fundit