La Liga po përgatit një spektakël të jashtëzakonshëm televiziv për El Clasicon mes Barcelonës dhe Real Madridit, me një prodhim që do t’i ngjajë një filmi të Hollywoodit.
Për ndeshjen e së dielës në “Camp Nou”, do të përdoren nga 35 deri në 40 kamera, përfshirë kamera kinematografike dhe lente speciale me rreze të gjatë, me qëllim që çdo moment i ndeshjes të transmetohet nga kënde të ndryshme.
Transmetimi do të realizohet në cilësi 4K, duke ofruar pamje me rezolucion të lartë dhe duke kapur edhe detajet më të vogla të lojës.
Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet dy yjeve që pritet të jenë në qendër të vëmendjes, Kylian Mbappes dhe Lamine Yamalit.
Të dy futbollistët do të kenë kamera të dedikuara, të cilat do t’i ndjekin gjatë të gjitha 90 minutave të përballjes.
Përmes këtij organizimi, La Liga synon ta shndërrojë një nga ndeshjet më të mëdha të futbollit botëror në një spektakël të vërtetë televiziv.
El Clasico pritet të tërheqë vëmendjen e miliona tifozëve në mbarë botën, ndërsa teknologjia e avancuar e transmetimit synon t’u ofrojë shikuesve një përvojë sa më mbresëlënëse të përballjes mes dy rivalëve historikë.






