Me 45 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar deklaratën “Jo në emrin tim”, përmes së cilës ka shprehur kundërshtimin ndaj vendimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, tha se në këtë periudhë nevojitet më shumë bashkëpunim për mbrojtjen e luftës së UÇK-së.
“Kuvendi i Komunës së Prishtinës shpreh mospajtimin e thellë për vendimin e shkallës së parë në Dhomat e Specializuara ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Sot nuk mjafton vetëm të shprehim keqardhje, është koha të ngrenë zërin. Të dalim në protesta të flasim dhe ta bëjmë të qartë se sakrifica e UÇK-së nuk mund të shkruhet sipas vullnetit të të tjerëve. Kuvendi i Prishtinës përcjellë mesazhin e qartë të qytetarëve të saj ‘Jo ne emrin tim’, tha Musmurati.
Gjatë diskutimit, Fehmi Osmani nga Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që në rezolutë të përfshihen edhe emrat e Sali Mustafës dhe Pjetër Shalës.
E, propozimi është mbështetur nga të pranishmit.
Një deklaratë e ngjashme është miratuar të premten edhe nga Kuvendi Komunal i Rahovecit.






