Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka folur lidhur me situatën politike dhe institucionale në vend, duke kritikuar qasjen ndaj Kushtetutës dhe funksionimit të institucioneve.
“Një mesazh që duhet të shkojë në veshin e atyre që sot prapë nuk janë në vendin e tyre të punës është se dobësimi dhe rrezikimi i shtetit nuk vjen vetëm nga keqqeverisja. Ai vjen edhe duke shkelur mbi vendimin e sovranit, respektivisht demokracisë, vjen nga kryeneçësia, por mbi të gjitha nga vazhdimi i shkeljeve zinxhirore të Kushtetutës”, tha Tahiri.
Sipas tij, Kushtetuta duhet të jetë pikënisje dhe obligim për të gjithë zyrtarët publikë, pavarësisht pozitës apo funksionit që mbajnë.
“Kushtetuta duhet të shihet si detyrim, jo si mënyrë. Ajo është korniza që kufizon sjelljen e secilit zyrtar publik, qoftë deputet, kryeministër, president apo çdo zyrtar tjetër publik”, u shpreh Tahiri.
Tahiri ka shprehur kritika edhe ndaj deputetëve, duke vënë në pikëpyetje respektimin e përgjegjësive që burojnë nga mandati i tyre dhe betimi i dhënë.
“Sot Kosova është duke e dobësuar veten edhe në rrafshin e brendshëm. Sot deputetët janë duke e shkelur aktin më të shenjtë, betimin e tyre, ndërsa partia që i ka fituar zgjedhjet është duke e shkelur aktin më të lartë, Kushtetutën”, deklaroi Tahiri.






