Bekim Sejdiu është një figurë me karrierë të gjatë në diplomaci, drejtësi dhe akademi, ndërsa emri i tij është propozuar si kandidat për President të Kosovës në kuadër të marrëveshjes së arritur mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sejdiu është jurist me formim akademik në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë. Ai ka shërbyer si një prej ambasadorëve të parë të Republikës së Kosovës, duke mbajtur postin e ambasadorit në Turqi nga viti 2008 deri në vitin 2012.
Pas përfundimit të mandatit në Ankara, Sejdiu ka shërbyer si Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork, nga viti 2012 deri në vitin 2014.
Karriera e tij institucionale është shtrirë edhe në sistemin e drejtësisë. Nga viti 2015 deri në vitin 2021, Bekim Sejdiu ka qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Paralelisht me angazhimet në diplomaci dhe institucione, Sejdiu ka vijuar aktivitetin akademik. Ai është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe është marrë me studime në fushën e së drejtës ndërkombëtare, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë.
Propozimi i tij për postin e Presidentit vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën, pas një krize të përsëritur politike dhe tre proceseve zgjedhore. Në këtë kontekst, kandidatura e Sejdiut paraqitet si një figurë me eksperiencë në institucionet e shtetit, diplomaci dhe drejtësi.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse kandidatura e tij do të sigurojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend dhe nëse marrëveshja politike mes VV-së dhe LDK-së do të jetë e mjaftueshme për t’i dhënë fund ngërçit institucional.
Nëse zgjidhet, Bekim Sejdiu do të marrë drejtimin e Presidencës në një prej periudhave më të ndërlikuara politike për institucionet e Kosovës.






