Kusari-Lila: Nisin kontrollet për qumështin dhe produktet e qumështit, shkelësit do të ndëshkohen

- Advertisement -

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se kanë nisur kontrolle intensive për përbërjen dhe etiketimin e qumështit dhe produkteve të qumështit.

Përmes një njoftimi në Facebook, Kusari-Lila ka bërë të ditur se kontrollet po zhvillohen bazuar në gjetjet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), me qëllim verifikimin e përbërjes reale të produkteve që dalin në treg.

“Përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës apo përbërësve të tjerë pa u deklaruar në etiketë, ose deklarimi i pasaktë i përbërjes së produkteve, përbën shkelje të legjislacionit në fuqi dhe mashtrim të konsumatorit”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo ka paralajmëruar se asnjë operator ekonomik nuk do të lejohet të përfitojë duke fshehur përbërjen reale të produkteve.

“Asnjë operator ekonomik nuk do të lejohet të përfitojë në kurriz të qytetarëve duke fshehur përbërjen reale të produkteve ose duke i paraqitur ato ndryshe nga çfarë janë në të vërtetë. Mbrojtja e konsumatorit është detyrim ligjor dhe prioritet institucional”, thuhet në njoftimin e saj.

Sipas Kusari-Lilës, nga 6 gushti 2026, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me AUV-në, do të kryejë kontrolle në të gjitha hallkat e zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit.

Kontrollet do të përqendrohen në përputhjen e përbërjes së produkteve me etiketat, deklarimin e përbërësve, dokumentacionin e lëndëve të para dhe gjurmueshmërinë e produkteve.

“Çdo produkt për të cilin, pas verifikimeve zyrtare dhe analizave laboratorike, konstatohet se etiketa nuk pasqyron përmbajtjen reale, do të tërhiqet menjëherë nga tregu”, ka njoftuar ministrja.

Ajo ka bërë të ditur se ndaj operatorëve ekonomikë përgjegjës do të ndërmerren masa ndëshkuese, përfshirë gjoba dhe tërheqjen e produkteve nga tregu.

“Çdo deklarim i rremë, i pasaktë apo mashtrues do të trajtohet me tolerancë zero dhe do të sanksionohet sipas ligjit”, ka shkruar Kusari-Lila.

Të ngjashme

Të fundit