Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka theksuar rëndësinë e përkujtimit të sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve për çlirimin e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë.
Ai ka vlerësuar se kujtimi i veprës së heronjve është një obligim qytetar, shtetëror dhe kombëtar. Kurti ka nënvizuar se, ndërsa në vitin 1998 UÇK-ja udhëhoqej nga Kryekomandanti Adem Jashari, sot Ushtria e Kosovës është më e fortë dhe më e pajisur se kurrë më parë.
Ai ka përkujtuar rënien heroike të Jasharëve në Prekaz dhe ka lavdëruar të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
E plotë:
Për çlirimin e Kosovës dhe Republikën e pavarur u luftua dhe u flijua aq shumë. Adem Jashari bashkë me familjen e tij, e bënë sakrificën më sublime për liri.
Përkujtimi i veprës së tyre është obligim qytetar, shtetëror e kombëtar dhe vazhdim i traditës së vendosur 26 vjet më parë, kur u manifestua njëvjetori i Epopesë, i rezistencës dhe qëndresës heroike të Jasharve në Prekaz.
Asokohe e kishim UÇK-në që prihej e frymëzohej nga Kryekomandanti Adem Jashari, e sot e kemi më të fortë, më të pajisur, më të armatosur e të trajnuar se kurrë më parë ushtrinë e Kosovës, që po e ngrisim e fuqizojmë, për sigurinë e mbrojtjen e vendit.
Rrugën sot e vazhdojmë në trajektoren e trasuar nga heronjtë tanë. Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari, lavdi të rënëve në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998, lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit të rënë për lirinë e Kosovës.