Kurti takon kryeministrin e Finlandës, ZKM: E falënderoi për mbështetjen, veçanërisht në përkrahjen e fuqishme për anëtarësim në KiE

- Advertisement -

Gjatë samitit të Komunitetit Politik Europian në Jerevan, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, zhvilloi takim me kryeministrin e Republikës së Finlandës, Petteri Orpo.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës tha se në takim, Kurti “e falënderoi homologun e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës ndaj Kosovës, në veçanti për përkrahjen e fuqishme në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për mbështetjen për avancimin drejt marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian”.

“Kryeministri në detyrë Kurti shprehu mirënjohjen edhe për bashkëpunimin dhe ndihmën e Finlandës në luftimin e dezinformimit, duke e cilësuar atë si element kyç për mbrojtjen e hapësirës demokratike dhe informimit publik të saktë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, “gjatë takimit u veçua përvoja e Finlandës në konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, si një model i avancuar i organizimit të shtetit dhe shoqërisë përballë sfidave të sigurisë, model ky që ka miratuar edhe Qeveria e Republikës së Kosovës”.

“Në përmbyllje, të dy kryeministrat riafirmuan gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”.

Të ngjashme

Të fundit