Kurti prezantoi projektin e Banimit Social Adekuat

- Advertisement -

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli – Dalipi, dhe me ministrin për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, prezantuan projektin e Banimit Social Adekuat në Republikën e Kosovës, në vlerë rreth 37 milionë euro dhe që përfshin gjithsej 21 komuna.

 

Duke e vlerësuar si një investim të rëndësishëm për dinjitetin e familjeve, si dhe për barazinë e sigurinë sociale, kryeministri Kurti tha se “po bëjmë një hap të rëndësishëm në një prej fushave të cilën si Qeveri e Republikës së Kosovës e kemi vendosur në qendër të punës sonë, e kjo është: përmirësimi i mirëqenies së familjeve dhe krijimi i kushteve më të mira për jetë”.

 

Më tej kryeministri shtoi se një familje e cila nuk mund të ndihet e sigurt atëherë duhet patjetër të bëhemi si shtet strehë për të. Një fëmijë që nuk mund t’i ketë mundësitë e barabarta atëherë duhet që ne të sigurojmë patjetër kushte të papërshtatshme banimi.

 

Kryeministri tha se gjatë qeverisjes tonë kemi ndërmarrë një sërë masash deri më tani për t’i mbështetur familjet, veçanërisht ato me fëmijë dhe ato që përballen me vështirësi ekonomike. Nga shtesat për fëmijë dhe mbështetjen për nënat lehona, te veprimet konkrete për mbrojtje sociale dhe përmirësim të standardit të jetesës.

 

“Projekti është rezultat i një pune të përbashkët ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave të Republikës, me mbështetjen edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Qeveria ka siguruar financimin përmes marrëveshjes së kredisë me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, në vlerë prej 25 milionë euro. Krahas tyre kemi ndarë edhe 12 milionë euro nga buxheti i Republikës. Pra, kemi siguruar një fond të përgjithshëm prej rreth 37 milionë euro. E ky është gjithsesi një investim i madh”, tha kryeministri në detyrë.

 

Në fund të fjalës së tij, kryeministri vlerësoi se “e drejta për jetë, e drejta për banim, barazia mbi të gjitha jo vetëm si synim i përbashkët por edhe si pikënisje pa dyshim mbeten vlerat nga të cilat nisim e shkojmë, me të vetmin qëllim, që shteti të jetë për krejt sepse krejt jemi të këtij shteti’.

 

Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:

 

Të nderuar gazetarë,

Të dashur qytetarë,

 

Jam këtu bashkë me dy ministra të kabinetit tonë qeveritar me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Fitore Pacolli – Dalipi dhe me ministrin për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, z. Andin Hotin.

 

Sot po prezantojmë projektin e Banimit Social Adekuat në Republikën e Kosovës, një investim ky  i rëndësishëm për dinjitetin e familjeve, si dhe për barazinë e sigurinë sociale. Kësisoj, po bëjmë një hap të rëndësishëm në një prej fushave të cilën, si Qeveri e Republikës së Kosovës, e kemi vendosur në qendër të punës sonë, e kjo është: përmirësimi i mirëqenies së familjeve dhe krijimi i kushteve më të mira për jetë.

 

Një familje e cila nuk mund të ndihet e sigurt atëherë duhet patjetër të bëhemi si shtet strehë për të. Një fëmijë që nuk mund t’i ketë mundësitë e barabarta atëherë duhet që ne të sigurojmë patjetër kushte të papërshtatshme banimi. Dhe, një shoqëri e shtet që nuk e luftojnë padrejtësinë dhe pabarazinë atëherë ngelen dhe familjet më të cenueshme më së pari, më së shumti, pa mbështetje. Prandaj, edhe çështjen e banimit e kemi trajtuar si pjesë të politikave tona sociale dhe të angazhimit për mirëqenien e qytetarëve, duke vënë prioritetin tek ata të cilët janë më së shumti në nevojë. Gjatë qeverisjes tonë kemi ndërmarrë një sërë masash deri më tani për t’i mbështetur familjet, veçanërisht ato me fëmijë dhe ato që përballen me vështirësi ekonomike. Nga shtesat për fëmijë dhe mbështetjen për nënat lehona, te veprimet konkrete për mbrojtje sociale dhe përmirësim të standardit të jetesës.

 

Sepse mbështetja për një familje nuk është vetëm një pagesë mujore. Mbështetja është edhe mundësia që ajo familje të ketë strehim të përshtatshëm, të sigurt e dinjitoz.

 

Projekti është rezultat i një pune të përbashkët ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave të Republikës, me mbështetjen edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Qeveria ka siguruar financimin përmes marrëveshjes së kredisë me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, në vlerë prej 25 milionë euro. Krahas tyre kemi ndarë edhe 12 milionë euro nga buxheti i Republikës. Pra, kemi siguruar një fond të përgjithshëm prej rreth 37 milionë euro. E ky është gjithsesi një investim i madh.

 

Ajo që e bën edhe më të rëndësishëm këtë investim është destinimi i tij. Është investim në familje. Është investim në siguri. Është investim në dinjitet. Është investim në të ardhmen e fëmijëve.

 

Sot kemi ardhur në një pikë ku ky angazhim po kalon nga planifikimi dhe përgatitja në fazën konkrete të zbatimit. Gjithsej 21 komuna do të jenë pjesë e këtij projekti dhe qindra familje do të përfitojnë nga ndërhyrjet që do të realizohen. Ato janë partnere të rëndësishme në zbatim, sepse nëpërmjet tyre kalojnë edhe procedurat e prokurimit, por edhe përzgjedhja e familjeve përfituese. Detajet e projektit, mënyra e zbatimit, programet e ndërhyrjes dhe ndarja sipas komunave do të prezantohet më gjerësisht e hollësisht nga ministrja Pacolli – Dalipi.

 

Unë e falënderoj Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës për partneritetin dhe mbështetjen, komunat për bashkëpunimin, si dhe ekipet e ministrive, që kanë punuar për ta sjellë këtë projekt deri në këtë fazë.

 

E në anën tjetër krahas këtij procesi i cili po hyn në fazën e nënshkrimit me komunat e më pas edhe fillimit, po zhvillohet e po avancon projekti tjetër i madh që ka nisur, ai i banimit të përballueshëm dhe social. Ky projekt aktualisht është në fazën e implementimit në këto komuna të Republikës: në Pejë, në Istog, në Podujevë dhe në Gjilan. Punimet po zhvillohen në gjithsej shtatë lote, në përputhje me kontratat e nënshkruara dhe planet dinamike të aprovuara për secilin projekt.

 

Në përgjithësi, niveli i realizimit sipas shpenzimeve të buxhetit, të pagesave, deri në këtë fazë është 35%, e për lote të caktuara shkon deri në 53%.

 

E drejta për jetë, e drejta për banim, barazia mbi të gjitha jo vetëm si synim i përbashkët por edhe si pikënisje pa dyshim mbeten vlerat nga të cilat nisim e shkojmë, me të vetmin qëllim, që shteti të jetë për krejt sepse krejt jemi të këtij shteti.

 

Ju faleminderit, e tash po ja kaloj fjalën ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Fitore Pacolli – Dalipi.

 

Të ngjashme

Të fundit