Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar një letër urimi nga kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, me rastin e rizgjedhjes së tij dhe fillimit të mandatit të ri qeverisës.
Në letrën e tij, Merz e ka uruar Kurtin për rizgjedhjen në postin e kryeministrit, duke theksuar se Kosova ka lënë pas një periudhë të gjatë të pasigurisë politike.
“Ju përgëzoj përzemërsisht për rizgjedhjen Tuaj Kryeministër i Republikës së Kosovës. Kosova ka lënë pas muaj të tërë të pasigurisë politike, e cila i ka imponuar vendit kosto të larta. Konfirmimi i zgjedhjes Tuaj ofron mundësinë e ndërtimit të urave përtej prizmit partiak, zgjidhjes së çështjeve të hapura institucionale dhe avancimit të reformave”, ka shkruar Merz.
Kancelari gjerman i ka uruar Kurtit sukses në mandatin e ri, ndërsa ka rikonfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën.
Merz ka theksuar se Gjermania qëndron fuqishëm përkrah Kosovës, duke veçuar edhe miqësinë e veçantë mes dy vendeve dhe popujve.






