Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar qëndrimin e gjashtë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti e ka cilësuar si të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm qëndrimin e deputetëve që kanë dalë kundër votimit të Sejdiut.
“Për bindjen time të fuqishme dhe të gjithëmbarshme, edhe prej tyre ishin pothuajse edhe konsiderojmë të papërgjegjshme edhe të dëmshme, absurde një sjellje e tillë e këtyre gjashtë deputetëve, ku pas tri palë zgjedhjeve duket që ka dëshirë e vullnet e interes që të shkojmë në zgjedhjet e katërta”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka shprehur shqetësimin se kundërshtimi i kandidaturës së Sejdiut mund ta çojë vendin drejt një tjetër procesi zgjedhor.
Sipas tij, pas tri palë zgjedhjeve, vendi ka nevojë për zgjidhje institucionale dhe jo për një tjetër cikël zgjedhor.






