Albin Kurti ka reaguar për herë të parë pasi u certifikuan rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ani pse e parasheh ligji që Kurti të jap dorëheqje nga posti i kryeministrit, i njëjti përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, si duket nuk do ta bëjë një gjë të tillë.
“Në këtë rast, Ligji parasheh që Qeveria dhe të gjithë anëtarët e saj vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre, duke respektuar plotësisht kufizimet e parashikuara nga neni 30 të Ligjit të lartcituar, si dhe kërkesat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, shkroi Kurti mes tjerash.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Me 23 mars 2025, mandati i plotë katërvjeçar i Qeverisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga unë si Kryeministër, përfundoi zyrtarisht dhe kaloi në fazën kalimtare të funksionimit si qeveri në detyrë, e cila efektivisht është sikur qeveria në dorëheqje e mandateve të mëhershme të të tjerëve. Kjo është hera e parë që një Qeveri e Republikës së Kosovës ka përfunduar me sukses mandatin e plotë kushtetues, duke shënuar një kapitull të ri të stabilitetit institucional në Republikën tonë demokratike.
Në përputhje me nenin 29, par. 1, nënpar. 1.4 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, mandati i secilit anëtar të Qeverisë po ashtu përfundoi më 23 mars, bashkë me përfundimin e mandatit të Qeverisë, pa pasur nevojë për aktin shtesë dhe formal të dorëheqjes prej posteve të tyre përkatëse sipas nënparagrafit 1.3 të po të njëjtit paragraf dhe nen.
Në këtë rast, Ligji parasheh që Qeveria dhe të gjithë anëtarët e saj vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre, duke respektuar plotësisht kufizimet e parashikuara nga neni 30 të Ligjit të lartcituar, si dhe kërkesat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Qeveria jonë (që në popull quhet Kurti 2) do të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo e vendos Qeverinë në një rol kujdestar, për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve.
Ju falemnderit për mbështetjen