Daut Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj, siç i quan ai, përpjekjeve për të dekurajuar protestat dhe reagimet qytetare pas dënimeve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, raporton Scanner.
Haradinaj ka kritikuar ata që, sipas tij, po tentojnë ta relativizojnë reagimin qytetar, duke thënë se kjo mund të çojë në “dorëzimin qytetar” përballë narrativave mbi luftën e UÇK-së.
“Çfarë hipokrizie! Nga Kosova mbështeste e protestonte në Tiranë për lirinë e flamingove në Zvërnec, e sot i gëzohet kafazit të Çlirimtarëve në Hagë!”, ka shkruar ai.
Ai ka kundërshtuar gjithashtu kritikat ndaj mënyrës se si po shprehet revolta qytetare.
“Disa matrapazë publikë e paskan filluar propagandën e dekurajimit të shprehjes së revoltës qytetare për dënimet e Hagës: ‘jo kështu, jo ashtu, jo foli ky, jo foli ai…’”, ka deklaruar Haradinaj.
Në reagimin e tij, ai ka thënë se përballë zhvillimeve të fundit “nuk ka rrugë të mesme”.
“Sot nuk ka rrugë të mesme: ose i gëzohesh dënimit si Serbia, ose e kundërshton atë me dinjitet si qytetar e shqiptar”, ka shkruar Haradinaj.
Postimi i plotë:
Çfarë hipokrizie! Nga Kosova mbështeste e protestonte në Tiranë për lirinë e flamingove në Zvërnec, e sot i gëzohet kafazit të Çlirimtarëve në Hagë!
Disa matrapazë publikë e paskan filluar propagandën e dekurajimit të shprehjes së revoltës qytetare për dënimet e Hagës: “jo kështu, jo ashtu, jo foli ky, jo foli ai…” Me fillimin e kësaj lufte speciale për relativizim, po synojnë ta arrijnë dorëzimin qytetar në mbrojtje dhe besim se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër.
Ky është i njëjti trend destruktiv në krijimin e narrativës që e ka gërryer Kosovën qe 20 vjet: e shkatërruan vendin, katundarë, të pashkollë, hajna, milionerë…
Sot nuk ka rrugë të mesme: ose i gëzohesh dënimit si Serbia, ose e kundërshton atë me dinjitet si qytetar e shqiptar.
Po lirisë së shprehjes, por JO e madhe për ju që jeni në shërbim të kësaj agjende dashakeqe.
Marre për ju!






