Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i është përgjigjur kritikave që Bashkimi Evropian i bëri pas miratimit të Ligjit për Gjykatën Speciale.
“Tash në orën 11:00, kam takim te Presidentja, më duhet të mbërrij me kohë”, tha Kurti shkurt për gazetarë, kur u pyet për ta komentuar qëndrimin e BE-së.
Të mërkurën, Bashkimi Evropian tha se ndryshim-plotësimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Unionit.
Në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë, një zëdhënës i BE-së tha se Kosova duhet t’u përmbahet detyrimeve të saj.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, theksuan nga BE.
Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin për Specialen në orët e vona të së martës, pasi që Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje arritën marrëveshje që ligji të miratohet edhe në lexim të dytë dhe menjëherë më pas Justina Shiroka-Pula të votohet si Presidente.
Ligji u iniciua nga PDK-ja, pasi që Specialja dënoi me 81 vjet burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burg, Jakup Krasniqi me 25, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.






