16 C
New York
Tuesday, May 6, 2025

Buy now

Kurti mori pjesë në Akademinë Përkujtimore në 40-vjetorin e rënies së heroit Zijah Shemsiu

- Advertisement -

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e shënimit të 40-vjetorit të rënies së veprimtarit të shquar politik, Zijah Shemsiu, e organizuar nga Shoqëria “Lëvizja” dhe Shoqata e të burgosurve politikë.

“Zijah Shemsiu u vra nga torturat e autoriteteve jugosllave të sigurimit, siç ishte vrarë 21 vite më parë në burgun e Prishtinës, Fazli Greiçevci. Ata e paguan me jetën e tyre veprimtarinë e tyre politike dhe angazhimin e tyre për realizimin e vullnetit politik të shqiptarëve të shtypur nën Jugosllavi. Zijah Shemsiu vdiq në një kohë kur thirrja “Kosova Republikë” ishte një parullë popullore, kurse sot, 40 vjet më pas, katër dekada më vonë, ai po kujtohet në Republikën e Kosovës, kur kjo parullë tashmë është realitet politik.” u shpreh kryeministri Kurti në fjalën e tij.

I njohur me nofkën Sefa, Zijah Shemsiu ishte mes organizatorëve të aktiviteteve mbështetëse ndaj atyre në Kosovë, sikur që ishte demonstrata e 11 prillit 1981 në kryeqytetin zviceran, Bern. Zijahu shpërndante trakte dhe shtypin e organizatave të fshehta politike, sikurse gazetat “Zëri i Kosovës”, “Liria” dhe “Lajmëtari i lirisë”. Shumë aktiv në diasporën politike shqiptare, Zijah Shemsiu kontribuoi në krijimin e klubeve shqiptare si klubi “Asim Vokshi” në Lozanë dhe klubi “Igballe Prishtina” në Gjenevë.

Kryeministri kujtoi rolin e Zijah Shemsiut dhe bashkëveprimtarëve, aktivizmin e tyre politik dhe hartimin, shkrimin dhe nënshkrimin eletrës të titulluar “Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion”. 

“Kjo letër proteste i drejtohej Kryesisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe kishte për qëllim t’i sqaronte shkaqet, arsyet dhe rrethanat e karakterin e vërtetë të demonstratave të vitit 1981. Në të vërtetë ajo nuk ishte thjesht një letër burgu dhe as një pamflet, por një traktat politik i mbushur me argumente logjike e shkencore dhe teorizime sociale e politike.” u shpreh kryeministri.

“E kujtojmë bashkë me shokët e bashkëveprimtarët e tij, shumë prej të cilëve janë edhe këtu sot mes nesh, meqënëse politika pa historinë nuk është gjë tjetër përveçse përhumbje: pa kohë dhe pa themele, pa ide e pa kuptim. Lavdi Zijah Shemsiut, mes mirënjohjesh e nderimesh për brezin e demonstratave të viteve 1968 dhe 1981, si dhe ndër të gjithë ata që janë angazhuar në pafund mënyra për jetësimin e vullnetit politik të shqiptarëve.” përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.

Të ngjashme

Të fundit