Kurti me propozim të ri për presidente, Justina Shiroka-Pula

- Advertisement -

Kryeministri Albin Kurti ka modifikuar ofertën e tij për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), pas refuzimit të disa prej propozimeve të mëparshme për presidentin e ri, raporton Ekonomia Online.

Kurti tha se pas refuzimit të profesor Bekim Sejdiut për president, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka refuzuar që fillimisht të votohet projektligji për Gjykatën Speciale dhe më pas të bëhet votimi për presidentin e ri në të njëjtën seancë, me dy pika të rendit të ditës.

Ai tha gjithashtu se Hamza ka refuzuar edhe Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin, duke i konsideruar ata persona politikë.

Kurti iu referua deklaratave të Hamzës të bëra më herët, duke cituar atë të ketë thënë:

“Cili është qëllimi politik? Që me patë një president politik dhe me përmbyllë, me thënë, në masën 100% kapjen e institucioneve të shtetit. Unë vazhdimisht kam qenë në takime, kemi bisedu sa ka seriozitet në këtë punë, kur veç sot, kur ju po na përcjellni që 3-4 herë, ka qëndrime të ndryshme”, tha Kurti.

Kryeministri iu referua edhe deklaratës së Hamzës për Feride Rushitin, pas pyetjes së një gazetareje se pse Rushiti nuk është e pranueshme për PDK-në, nëse nuk ka kartelë të Vetëvendosjes.

“Unë mendoj që është. Nuk e di a e ka librezen, mendoj se është fort Vetëvendosje, nuk e di a ka libreze, është Vetëvendosje.”

tha Kurti, duke cituar Hamzën.

Kurti tha se deklarata e Hamzës për “3-4 herë” qëndrime të ndryshme lidhet me faktin se janë bërë propozime të reja.

“Të nderuar gazetarë, kur ai thotë që 3-4 herë ka qëndrime të ndryshme, në fakt bëhet fjalë për propozime të reja. Natyrisht që propozimet e reja nuk janë propozimet e vjetra, janë propozime të ndryshme sepse janë propozime të reja. E para”, tha Kurti.

Ai foli edhe për kritikën e Hamzës ndaj Glauk Konjufcës dhe Feride Rushitit.

“Dhe së dyti, e dëgjova edhe kritikën e tij lidhur me atë se Glauk Konjufca na qenka politik e partiak, e në anën tjetër edhe Feride Rushiti, doktoresha e nderuar, na qenka fort Vetëvendosje”, tha Kurti.

Më pas, Kurti njoftoi se oferta e tij e bërë më herët do të modifikohej.

“Atëherë më lejoni që këtu para juve propozimin tonë të orës 20:00 ta modifikoj e ta përshtas edhe pak më tutje”, tha Kurti.

Ai i bëri thirrje kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të deklarojë publikisht se 22 deputetët e grupit parlamentar të PDK-së do të marrin pjesë në votimin për president.

“Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, le të del publikisht sonte, pas meje menjëherë, që 22 deputetët e grupit parlamentar të PDK-së zotohen bashkë se marrin pjesë me votë në zgjedhjen për president, ne po ia votojmë projektligjin për Gjykatën Speciake paraprakisht”, tha Kurti.

Ai theksoi se projektligji për Gjykatën Speciale do të votohej para zgjedhjes së presidentit.

“Pra jo më pas, përpara. Në një seancë me dy pika: pika e parë, leximi i dytë i projektligjit mbi Gjykatën Speciake e ka votën tonë, dhe mandej votimi për presidente, profesoresha Justina Shiroka-Pula”, tha Kurti.

Të ngjashme

Të fundit