Pasi përfundoi afati i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e një presidenti, dhe pas shpërndarjes së Kuvendit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për presidente, Feride Rushiti, kanë mbajtur konferencë për media.
Kurti adresoi kritika ndaj opozitës, duke thënë se opozita me sjellje joshtetërore dhe anti-institucionale pamundësuan zgjedhjen e presidentit.
“Jemi këtu bashkë në Kuvendin e Republikës me kandidaten për Presidente të Republikës, doktoreshën Feride Rushiti, e cila mbrëmë, gjatë përpjekjes për të zhvilluar raundin e parë të zgjedhjes së Presidentes së re, mori 63 vota, që dëshmon se Kosova, si shtet i pavarur dhe Republikë demokratike, mund të ketë Presidenten e re. Mirëpo, ajo çfarë mungoi është opozita aty, e cila, me sjelljen e saj joshtetërore dhe anti-institucionale, me bojkot dhe bllokim, pamundësoi zhvillimin e raundit të parë për të vazhduar në raundin e dytë dhe të tretë. Doktoresha Feride Rushiti i ka votat për Presidente; ajo çfarë nuk ka Kosova është kuorumi në Kuvend. Unë e falënderoj përzemërsisht, së pari që ka pranuar të jetë kandidate dhe, si lidere e shoqërisë civile, si një personalitet i dëshmuar në punën në fushën e të drejtave të njeriut për pothuajse tri dekada, është nder për Republikën tonë që e kishim kandidate. Njëkohësisht, e përgëzoj për punën dhe kontributin që ka bërë”, tha Kurti.





