Kryetari i Gjykatës së Pejës thotë se s’pati lëshime në rastin e Arlinda Zekajt, ndonëse gjyqtari i kishte caktuar vetëm dy metra largësi me vrasësin dhe dhunuesin

- Advertisement -

Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Shemsedin Haxhijaj, ka deklaruar se nuk ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj gjyqtarit Migjen Kastrati, i cili më herët ishte marrë me rastin e Arlinda Zekajt.

“Unë si kryetar po të tregoj që nuk kam hapur procedurë disiplinore. Arsyeja është se s’ka të gjetura për me hap një procedurë”, ka deklaruar Haxhijaj.

I pyetur për përgjegjësinë e mundshme disiplinore të gjyqtarit, Haxhijaj ka përsëritur se nuk janë konstatuar lëshime që do të arsyetonin nisjen e një procedure të tillë.

Kryetari i Gjykatës së Pejës thotë se s’pati lëshime në rastin e Arlinda Zekajt, ndonëse gjyqtari i kishte caktuar vetëm dy metra largësi

Ndërkohë, gjyqtari Migjen Kastrati, në trajtimin e mëhershëm të rastit, i kishte caktuar Arlinda Zekajt masë mbrojtëse me largësi prej vetëm dy metrash nga ish-bashkëshorti i saj.

Kjo deklaratë vjen në kohën kur Prokuroria Speciale e Kosovës ka marrë në shqyrtim dosjen lidhur me dyshimet për mosveprime dhe neglizhencë të mundshme nga zyrtarë policorë, prokurorë dhe gjyqtarë në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.

Në anën tjetër, të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë ishte paraparë të mbahej shqyrtimi fillestar ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të së ndjerës, për veprën penale të kanosjes.

Nën masa të rrepta sigurie dhe përcjelljen e njësisë speciale FIT të Policisë së Kosovës, Sylaj është sjellë në gjykatë, por seanca është shtyrë për 24 nëntor, në orën 13:00.

Shtyrja është bërë pas kërkesës së avokatit të familjes së viktimës, Besnik Berisha. Për pasojë, Sylaj nuk është deklaruar për fajësinë.

Sipas kronologjisë së rastit, aktakuza ndaj tij ishte ngritur më 23 tetor, dy ditë para vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor, ndërsa në Gjykatën Themelore në Pejë kishte arritur më 26 tetor, një ditë pas vdekjes së saj.

Sylaj akuzohet se kishte kanosur ish-bashkëshorten e tij, përfshirë edhe me kërcënime me jetë. Ndërkaq, për vrasjen e Arlinda Zekajt dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj.

Shqyrtimi fillestar ndaj Jeton Sylajt pritet të mbahet më 24 nëntor, në orën 13:00.

Të ngjashme

Të fundit