Kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave të Kosovës do të protestojnë sot në Prishtinë, duke kërkuar zgjidhje për një sërë çështjesh që, sipas tyre, po pengojnë funksionimin normal të pushtetit lokal.
Protesta, e organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke filluar nga ora 11:00.
Përfaqësuesit e komunave kanë ngritur shqetësime lidhur me gjendjen financiare të komunave, mbrojtjen e kompetencave të pushtetit lokal dhe çështjet që lidhen me pronën komunale.
Një tjetër shqetësim i komunave janë obligimet financiare dhe proceset përmbarimore që, sipas tyre, po rëndojnë buxhetet komunale dhe po vështirësojnë ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Organizatorët kanë deklaruar se protesta do të jetë paqësore, institucionale dhe jopartiake. Sipas tyre, vendimi për protestë është marrë pas mungesës së rezultateve në dialogun me institucionet qendrore.
Kryetarët e komunave kanë kërkuar që Qeveria të ndërmarrë hapa konkretë për adresimin e problemeve të pushtetit lokal dhe të respektojë kompetencat e komunave të përcaktuara me ligj.
Në mbështetje të protestës është shprehur edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka ftuar qytetarët t’i bashkohen tubimit.
Protesta pritet të sjellë në Prishtinë përfaqësues nga komunat e ndryshme të Kosovës, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se, nëse kërkesat e tyre nuk adresohen, mund të ndërmerren edhe hapa të tjerë institucionalë.






