Kryesia e LDK-së miraton marrëveshjen politike, mbështet Bekim Sejdiun për President

- Advertisement -

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka miratuar unanimisht marrëveshjen politike për tejkalimin e krizës institucionale dhe përmbylljen e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës.Në një deklaratë të publikuar pas mbledhjes, LDK-ja bëri të ditur se Kryesia, në përputhje me autorizimet e dhëna nga Kuvendi i partisë dhe përgjegjësitë statutare, ka mbështetur marrëveshjen e arritur nga ekipi negociues i LDK-së.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Kryesia ka miratuar edhe nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.Sipas LDK-së, vendimi përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të partisë dhe është marrë me synimin për garantimin e stabilitetit institucional dhe funksionimin e rregullt të rendit kushtetues.“Ky proces nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e një individi”, thuhet në deklaratë, duke theksuar se prioritet për LDK-në është ruajtja e institucioneve të Republikës, shmangia e një krize të re politike dhe krijimi i kushteve për funksionim të qëndrueshëm institucional.

LDK-ja ka vlerësuar pozitivisht profilin e Bekim Sejdiut, duke e përshkruar si jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.Sipas partisë, përvoja e tij në fushën kushtetuese dhe në përfaqësimin diplomatik të Kosovës përbën bazë për ushtrimin e pavarur, të paanshëm dhe dinjitoz të detyrës së Presidentit.Kryesia e LDK-së ka theksuar se kandidatura e Sejdiut synon të kontribuojë në zgjedhjen e një Presidenti që qëndron mbi ndarjet partiake, respekton Kushtetutën dhe përfaqëson Kosovën brenda dhe jashtë vendit, me theks të veçantë në orientimin euroatlantik.Në fund, Kryesia u ka bërë thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që gjatë votimit të veprojnë në përputhje me vendimet e organeve të partisë dhe autorizimet e dhëna nga Kuvendi i LDK-së.“Përgjegjësia ndaj Republikës duhet të qëndrojë mbi çdo konsideratë tjetër”, thuhet në deklaratë.

Të ngjashme

Të fundit