9.3 C
New York
Saturday, April 20, 2024

Buy now

Kroatët përballen me rritje të çmimeve pas futjes në Eurozonë

- Advertisement -

Pa kaluar një muaj që kur Kroacia u bashkua me eurozonën dhe zëvendësoi monedhën e saj, me euron, shumë kroatë po ankohen për rritje të çmimeve që sikurse thonë është e pajustifikuar. Vendi gjithashtu po përballet me një nivel të lartë inflacioni.

Që kur Kroacia u bë vendi i 20-të që fut në përdorim euron, prej 1 janarit të këtij viti, shitësit me pakicë janë akuzuar se e përdorin situatën për të rritur fitimet.

Disa ekspertë thonë se dyqanet po rrumbullakosin çmimet në euro ose po rrisin ato deri në 50 për qind, në vend që thjesht t’i konvertojnë në euro. Sipas kursit zyrtar 1 euro shkëmbehet me 7.53 kuna kroate.

Por tregtarët me pakicë fajësojnë inflacionin e lartë. Nga ana tjetër qeveria njoftoi masa, përfshirë dërgimin e inspektorëve në dyqane, si dhe duke kërkuar nga zinxhirët e mëdhenj të shitjes me pakicë për të raportuar çmimet e çdo produkti, çdo dy javë.

Të premten, inspektorati shtetëror njoftoi se pas një kontrolli në rreth 1,000 dyqane, kishte identifikuar një rritje të pajustifikuar të çmimit në rreth një të katërtën e tyre. Ata thanë se kishin vendosur më shumë se 240 gjoba.

“Sa dola nga dyqani, janë rritur çmimet për çdo gjë. Ata po i rrumbullakosin çmimet, duke i rritur, s’kemi çfarë të bëjmë”, thotë Jasna Jankoviq, një pensioniste nga Zagrebi.

“Kur shoh produktet më elementare, gjalpin, bukën, qumështin, çmimet janë të papërballueshme për to. Kjo nuk është rritja për të cilën na paralajmëruan, është 10 ose 20 për qind më shumë”, thotë Damar Arbanas, një tjetër pensionist nga Zagrebi.

Tre kompani që ofrojnë shërbime të telekomunikacionit njoftuan se do të rrisin çmimet në shkurt.

Megjithatë ka nga ata që thonë se debati mbi rritjen e çmimeve është i ekzagjeruar.

“Çdo vend që ka futur euron u përball me këto probleme. Jemi ne që duhet të mësohemi të llogarisim nga euro në kuna, sepse ne ende i konvertojmë çmimet fillimisht në kuna, në vend që të bëjmë llogaritjet në euro”, thatë Zeljka, pensioniste nga kryeqyteti kroat, Zagreb.

Në dhjetor, norma e inflacionit ishte 13.1 për qind, duke shënuar një rënie të vogël nga niveli më i lartë historik prej 13.5 për qind i regjistruar në nëntor.

Çmimi i pothuajse çdo gjëjë u rrit gjatë pjesës më të madhe të vitit 2022. Autoritetet fajësuan inflacionin për rritjen e kostos së energjisë dhe problemet me furnizimin shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit