9.7 C
New York
Thursday, April 25, 2024

Buy now

Trupat ukrainase stërvitje me tanke gjermane në Poloni

- Advertisement -

Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov bëri të ditur se forcat ukrainase do të mësojnë se si t’i përdorin tanket e betejës ‘Leopard 2’, pavarësisht se aleatët perëndimorë dështuan të premten të marrin një vendim për të furnizuar Kievin me tanke të prodhimit gjerman.

Zoti Reznikov i tha të premten Shërbimit Ukrainas të Zërit të Amerikës se trupat e Ukrainës do të stërviten në Poloni, duke e cilësuar këtë zhvillim, si përparim.

Vendet që kanë tashmë tanke Leopard mund të fillojnë misionet stërvitore me trupat tona. Shpresoj që Gjermania të ndjekë procesin, të kryejë konsultimet e saj të brendshme e të arrijë në vendimin për të na dërguar take. Jam optimist se një gjë e tillë do të ndodhë pasi hapi i parë është bërë”, tha zoti Reznikov.

Një këshilltar i lartë i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, shprehu zhgënjimin lidhur me ritmin e mbështetjes ushtarake që aleatët po ofrojnë. Ai tha se Perëdimi duhet “të mendojë më shpejt”.

Në të gjitha rastet ju do ta ndihmoni Ukrainën me armët e nevojshme, e do të kuptoni se nuk ka asnjë mundësi tjetër për t’i dhënë fund luftës përveçse që Rusia të humbasë“, shkruante në një postim në Twitter Mykhailo Podolyak. “Mungesa e vendosmërisë që po tregoni sot, po vret edhe më shumë ukrainas. Çdo ditë vonesë do të thotë vdekje për njerëzit tanë. Mendoni më shpejt“.

Më herët të premten sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe shefi i Shtabit të Ushtrisë amerikane gjeneral Mark Milley thanë se tani për tani Gjermania nuk do të dërgojë asnjë tank Leopard në Ukrainë. Ata i bënë komentet në një konferencë shtypi në bazën ajrore amerikane Ramstein në Gjermani, që pasoi një konferencë ndërkombëtare ku u trajtua çështja e ndihmës për Ukrainën.

Takimi u mbajt mes zhgënjimit të Kievit për mospajtimet që ka nxitur çështja e tankeve, ndërsa sulmi rus ka hyrë në muajin e 11 të tij. Presidenti Zelenskyy bëri thirrje të drejtpërdrejtë për tanke në këtë takim.

Megjithatë zoti Reznikov tha se ishte i kënaqur me rezultatet e konferencës: “Mendoj se mesazhi kryesor i këtij takimi ishte uniteti, afatet kohore të dhënies së ndihmës dhe rritja e aftësisë së forcave të armatosura të Ukrainës për të vazhduar operacionet kundërsulmuese për të çliruar territoret e okupuara. Të gjitha paketat e ndihma ushtarake të shpallura më parë janë konfirmuar. Krahas kësaj janë bërë diskutime për paketa të reja ndihme, për të cilat nuk jam i autorizuar të them asnjë. Kjo është frymëzuese ndaj dhe jam shumë i kënaqur”, tha ai.

Ndërkaq SHBA njoftoi një paketë të re ndihme prej 2.5 miliardë dollarësh, çka e çon në rreth 27 miliardë dollarë totalin e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën që nga fillimi i sulmit rus ndaj këtij vendi, më 24 shkurt 2022. /VOA/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit