17.3 C
New York
Thursday, April 25, 2024

Buy now

Kriza energjetike në Kosovë: Pse jemi në këtë gjendje dhe cilat janë opsionet e daljes nga kriza?

- Advertisement -

Shkruan: Dr. sc. Ferat Shala

Kosova gjatë muajve të fundit po përballet me krizë energjetike e cila nuk ka qenë e tillë që nga viti 2010. Është fakt që një krizë e tillë energjetike po mbretëron edhe në Evropë dhe më gjerë, por kriza e Kosovës dallon shumë nga kriza globale energjetike.
Derisa në Evropë dhe më gjerë kriza energjetike ka zanafillën në çmimin e lartë të energjisë në tregun ndërkombëtar, në Kosovë kriza energjetike është e ndërlidhur me keqmenaxhimin, mungesën e vendimmarrjes së duhur institucionale, mungesën e planifikimit të qëndrueshëm dhe politikat e gabuara të qeverisjes aktuale.
Kriza energjetike në Kosovë është e ndërlidhur me mungesën e vizionit dhe qasjes totale për këtë situatë nga strukturat qeverisëse dhe mungesën e mobilizimit dhe organizimit ndërinstitucional për zgjidhjen e krizës.
Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj vartëse që kanë përgjegjësi në sektorin e energjisë, përkundër faktit se kanë bazë të mjaftueshme kushtetuese dhe ligjore për zgjidhjen e krizës, dhe përkundër që kanë në menaxhim të gjitha resurset teknike dhe humane për menaxhimin e krizës, deri më tani nuk ia kanë arritur ta bëjnë këtë.
Ajo çka e bën situatën energjetike edhe më të rëndë në Kosovë, është hutia e kësaj qeverie e cila ende nuk ka përgjigje në pyetjet që vazhdimisht drejtohen në adresë të saj si:
– A kemi ndonjë informacion të saktë se si dhe kur do të dalim nga kjo krizë?
– Cilat dhe sa do të jenë pasojat ekonomike dhe financiare të kësaj krize?
– Sa dhe si do ta përballojnë qytetarët këtë situatë?
– Si do ta kalojmë sezonin e dimrit përballë kësaj krize?

Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës, në vend se të ishte e orientuar për marrjen e vendimeve dhe planifikimin e daljes nga kriza, ishte e orientuar për identifikimin dhe zbulimin e të ashtuquajturve “fajtorëve të krizës”.
Një nga fajtorët e identifikuar nga qeveria për krizën ishin konsumatorët (qytetarët), të cilët, në fakt, janë ata që po i bartin më së shumti pasojat e mungesës së energjisë dhe problemeve në jetën e përditshme që shkakton mungesa e energjisë qofshin ato sociale apo ekonomike.
Në këtë situatë nuk munguan as thirrjet e vazhdueshme të institucioneve përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës, të cilat, në mungesë të opsioneve për zgjedhjen e problemit, kërkonin nga konsumatorët kursim të energjisë, mospërdorim të energjisë për ngrohje në sezonin më të ftohtë të vitit. Në tërë këtë stres të mungesës së energjisë, konsumatori po kërcënohet edhe me paralajmërimin e shtrenjtimit të çmimit të energjisë.


Pra qeveria aktuale, në vend se të ofrojë përgjigje në këtë pyetje, në vend se ta marrë përsipër fajin dhe t’i qaset me seriozitet zgjedhjes së problemit, po përpiqet që fajin ta zhvendosë te qytetarët dhe te ish-qeveritë e kaluara.
Mirëpo nëse e analizojmë procesin e zhvillimit të kapaciteteve energjetike do të shohim që ishte pikërisht partia që ka pushtetin dhe oponentët e saj pengesa kryesore për zhvillimin e kapaciteteve energjetike të bazuara në thëngjill, qoftë përmes lobimit kundër projekteve të reja energjetike ose përmes bllokimit të vendimeve për këto projekte.
Disa nga vendimet e marra kohën e fundit nga qeveria, që ishin me mungesë transparence dhe të pamenduar mirë, ishte edhe ndarja e 20 milionë eurove për KEK-un pa asnjë bazë ligjore, para këto që duhet të kalojnë nga KEK-i te KEDS-i, ndarja e 20 milionë eurove për dividentin e KOSTT-it, mjete këto të cilat u munduan të kamuflohen tash e gjashtë muaj në retorikë populiste, si dhe mungesa e gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme për mbulimin e humbjeve të energjisë në veri të vendit.


Një tjetër problem është ai që ndërlidhet me projektet e reja energjetike dhe mungesa e transparencës lidhur me procesin e vendimmarrjes nga kjo qeveri për projektin e gazit natyror të mbështetur nga ShBA-ja përmes MCC. Duke refuzuar këtë projekt pa ndonjë arsyetim të mirëfilltë, kjo qeveri i ka shkaktuar vendit dëme shumë të mëdha në sektorin e energjisë.
Projekti i ndërtimit të infrastrukturës së gazit, pavarësisht prej prejardhjes së tij dhe rrugëve prej nga vjen, do të duhej të ishte prioritet i vendit, jo vetëm pse Kosova ka mungesë të infrastrukturës për këtë sistem, por edhe për shkak të perspektivës së të ardhmes dhe mundësive të shfrytëzimit të këtij gazi jo vetëm për prodhimin e energjisë elektrike, por edhe për ngrohje dhe për nevoja të amvisërisë.
Përfitimet e tjera që mund të sillte një projekt i tillë janë edhe diversifikimi i burimeve të energjisë, duke ua ofruar konsumatorëve edhe një alternativë tjetër dhe me një çmim më të arsyeshëm, duke rritur mundësinë e kursimit të energjisë elektrike dhe duke shërbyer si një alternativë mbështetëse afatgjatë përgjatë periudhës derisa të bëhen investimet e duhura në energjinë alternative dhe në procesin e tranzicionit energjetik.
Në anën tjetër, dëmet që i shkaktohen vendit për moszbatimin e këtij projekti janë të ndërlidhura me ndotjen që do të shkaktohet nga përdorimi i thëngjillit për prodhim të energjisë dhe për ngrohje, por edhe përjashtimi nga lidhja me projektet evropiane dhe globale të infrastrukturës së gazit që kanë synim të sjellin një siguri energjetike në tregun e rajonit.


Vonesa dhe paqartësia për orientimin e investimeve në sektorin e energjisë përbëjnë problem tjetër që ka prejardhjen pikërisht nga qëndrimet konfuze të Qeverisë së Kosovës. Kosova po vazhdon të vuajë nga mungesa e investimeve që do ta diversifikonin prodhimin dhe miksin energjetik, e cila do ta mundësonte ofertën e brendshme më të lirë dhe të përballueshme për qytetarët.
Vonesa në reformat për skema mbështetëse për burime të ripërtërishme të energjisë dhe të investimeve strategjike përmes programeve konkrete në efiçiencë të energjisë është vazhdimësi e politikave dhe vendimeve jo të qëndrueshme dhe pa vizion të kësaj qeverie.
Zbrazëtitë ligjore që ndërlidhen me miratimin e ligjeve përkatëse sikurse është ai për burimet e ripërtërishme të energjisë dhe hapjen e tregut të ankandeve për investime në burimet e ripërtërishme nga investitorët potencialë, si dhe zbatimi i skemave të subvencionimit, vazhdojnë të jenë pengesat kryesore të këtij sektori.
Qeveria përmes Ministrisë së Ekonomisë, përmes një plani emergjent veprimi, do të mund t’u përgjigjej progresit teknologjik, teknologjive të reja të gjenerimit të energjisë, si dhe t’i fillonte bisedimet drejt ekonomisë së karbonitt të ulët.


Kësaj qeverie i ka munguar edhe një plan konkret që do të kishte në zhvillimin normal të sektorit energjetik duke vendosur një balancë ndërmjet mekanizmave të tregut dhe aspekteve teknike/teknologjike dhe menaxhimit të energjisë.
Mundësi reale së paku deri në vitin 2050 për Kosovën do të duhet të ishte valorizimi i burimeve të saj energjetike përmes fisnikërimit dhe gazifikimit të linjitit, si opsione për ta garantuar sigurinë e furnizimit dhe reduktimin e ndikimit negativ në mjedis.
Në kuadër të kësaj do të duhej të mbështetej KEK-u si gjeneruesi kryesor i energjisë, në reforma strukturore dhe teknologjike që do ta përfshinin uljen e emetimeve në ajër, përmirësimin e teknologjisë së prodhimit, rritjen e efiçiencës, sigurisë së furnizimit dhe hapjes së tregut.
Do të duhej të punohej më shumë edhe për ridizajnimin e tregut të energjisë elektrike, që do të kishte në fokus zhvillimin e konkurrencës së gjenerimit dhe të tregut, përfshirë edhe tregjet ndërkufitare.
Kur flasim për bashkëpunimin ndërkufitar, patjetër duhet të trajtohet me prioritet linja interkonektive 400 kV Kosovë – Shqipëri. Ndërtimi i kësaj infrastrukture energjetike do t’i bënte të dyja vendet të pasura me burime energjetike dhe të pavarura në aspektin e prodhimit të energjisë dhe, pse jo, edhe fuqi energjetike në rajon.


Në raport me menaxhimin e situatës emergjente të krizës së energjisë, Qeveria e Kosovës do të duhej:
• Të shpallte gjendje emergjente të jashtëzakonshme – mbështetur në legjislacionin në fuqi;
• Të bëhej transparente para opinionit dhe qytetarëve për çdo transaksion qeveritar.
• Të ndërkrente urgjentisht në gjuhën dhe komunikon fyes me konsumatorët/qytetarët.
• Të dilte përtej konceptit të LV-së dhe të formonte trupa profesionale për sektorin e energjisë për rrethanat e jashtëzakonshme.
• Të hartonte urgjentisht një plan veprimi afatshkurtër njëvjeçar që të ‘iërballojë sfidat dhe pasojat e kësaj krize.
Ndërsa në raport me planifikimin afatgjatë në sektorin e energjisë disa prej hapave dhe veprimeve që qeveria duhet t’i trajtojë me prioritet janë:
• Hartimi i një strategjie afatgjatë dhe të mirëmenduar për dekarbonizimin e sistemit energjetik;
• Rritja e investimeve në efiçencën e energjisë me qëllim të uljes së konsumit të energjisë;
• Themelimi i fondit të konsumatorëve në nevojë sipas kërkesave të Ligjit për Energjinë Elektrike;
• Fuqizimi i Fondit të Efiçiencës i cili do t’i ndihmonte qytetarët të përdornin alternativa të ngrohjes;
• Dizajnimi i pakove mbështetëse për transformimin e sistemeve të ngrohjes;
• Rritja e investimeve në burimet e ripërtërishme të energjisë;
• Hartimi i programeve të vetëdijesimit për efiçencën e energjisë dhe mjedisin;
• Masa lehtësuese për konsumatorët.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit