25.4 C
New York
Wednesday, July 24, 2024

Buy now

Disa propozime që do të duhej të përfshihen me rastin e hartimit të Kodit për Procedurën Civile

- Advertisement -

Shkruan: Rafet Haxhaj

VENDIMET GJYQËSORE TË JEPEN “NË EMËR TË REPUBLIKËS”

Kodi për Procedurën Civile është në fazën e hartimit. Për shkak të rëndësisë që ka si për punë e gjykatave e po ashtu edhe të pjesëmarrësve të tjerë në procedurë, po japim disa propozime për të cilat mendojmë se do të duhej të merreshin parasysh në këtë fazë të hartimit, kurse për detajet e tjera do të përpiqemi që të japim mendimin tonë pasi të kemi mësuar përmbajtjen e draftit të parë të këtij kodi.

Dr.sc. Rafet Haxhaj

Kodi për Procedurën Civile cakton rregulla të detyrueshme, të njëjta e të barabarta, për gjykimin e mosmarrëveshjeve civile dhe të mosmarrëveshjeve të tjera të parashikuara në këtë Kod dhe në ligje të veçanta. Nëpërmjet këtyre rregullave gjykata e bën zbatimin e së drejtës materiale mbi situatën konkrete jetësore të rregulluar me anë të normës materialo-juridike, në rastin në të cilin ka lindur nevoja që gjykata të vihet në veprim, me qëllim të mbrojtjes apo realizimit të së drejtës subjektive civile.
Kodi i Procedurës Civile në Kosovë është në fazën e hartimit. Se çfarë përmban ky kod, informacionet deri më tani janë fare të pakta. Meqë rëndësia e tij është e pa kontestueshme si për punën e gjykatave e po ashtu edhe për pjesëmarrësit e tjerë në procedurat gjyqësore civile, e shohim të arsyeshme që ti japim disa propozime për të cilat mendojmë se do të duhej të merreshin parasysh dhe do të duhet të përfshihen me rastin e draftimit.
Propozimet kanë të bëjnë me sa vijon:

1. Vendimet gjyqësore duhet të jepen “NË EMËR TË REPUBLIKËS”.
Në nenin 1 par 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës është përcaktuar që:
“Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve brenda kufijve të saj”. Nga kjo mendojmë që, republika përfaqëson simbolin e drejtësisë për qytetarët dhe atyre u garanton një gjë të tillë.

2. Të zgjatet afati i korrigjimit dhe plotësimit të parashtresave nga tri ditë sa është e përcaktuar me ligjin aktual (Neni 102.1), deri në 10 ose 15 ditë. Një afat i tillë, më i gjatë i përcaktuar me ligj, jo vetëm që do të ndikonte që pala në procedurë të ketë kohë të mjaftueshme për korrigjimin ose plotësimin e parashtresës, por parashtresa e tillë do të ishte e hartuar mirë dhe do të ishte më përmbajtësore. Kjo gjë do të ishte edhe në të mirën e vet procesit kontestimor sepse do të kontribuonte edhe në mbarëvajtjen e këtij procesi.

3. Të zgjatet afati për ushtrimin e ankesës nga 15 në 30 ditë, ndërsa tek procedurat e veçanta kontestimore nga 7 në 15 ditë. Një afat i tillë, vlerësojmë se do të ishte i nevojshëm që pala në procedurë të ketë kohë të mjaftueshme për hartimin e ankesës dhe para gjykatave të parashtrohen ankesa të një cilësie sa më të lartë.

4. Të rregullohet dhe normohet situata juridike e tërheqjes së padisë, kur çështja gjendet sipas ankesës në gjykatën e shkallës së dytë. Në praktikën gjyqësore, në jo pak raste paditësi e ka tërheqë padinë edhe në kohën kur veç çështja ka qenë sipas ankesës në gjykatën e shkallës së dytë. Këtë situatë juridike Ligji për Procedurën Kontestimore nuk e ka pasur të rregulluar.

5. Të reduktohet procedura në rastet e caktimit të masave të sigurimit të kërkesëpadisë. Vlerësojmë se procedura, mënyra e caktimit dhe koha për të cilën duhet që masa të caktohet, të jetë sa më e shkurtër. Procedura e deritashme sipas të cilës kanë qenë të parapara dy lloje masash, qoftë masa e përkohshme qoftë masa e sigurimit, ka marrë shumë kohë për gjykatat duke përfshirë këtu edhe fazën e ankesës para gjykatës së shkallës së dytë. Vlerësojmë se lidhur me këto raste duhet që të ekzistojë vetëm një masë, dhe ajo të jetë masa e përkohshme, ndërsa mënyra e caktimit të saj të jetë përshtatshmerisht e njëjtë me mënyrën sikurse te procedura para Gjykatës Kushtetuese.

6. Te vendimet gjyqësore, të hiqen aktgjykimet me emër. Në Ligjin për procedurën Kontestimore, përveç aktgjykimit të zakonshëm, kanë qenë të parapara edhe disa aktgjykime me emër si: aktgjykimi i pjesshëm, aktgjykimi në bazë të pohimit, aktgjykimi në bazë të heqjes dorë nga kërkesëpadia, aktgjykimi për shkak të padëgjueshmërisë (mos bindjes), aktgjykimi për shkak të mungesës, aktgjykimi pa shqyrtim kryesor të çështjes etj. Vlerësojmë se emërtimet e tilla paraqesin diçka të tejkaluar. Vendimi gjyqësor – aktgjykimi, të emërtohet vetëm si Aktgjykim, ndërsa me ligj të parashihen vetëm situatat juridike kur mundet që të vendoset me aktgjykim.

7. Te përsëritja e procedurës si mjet i jashtëzakonshëm i goditjes së vendimeve gjyqësore, të rregullohet me ligj, situata juridike kur përsëritja kërkohet lidhur me vendimin e nxjerrë nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës. Edhe këtë situatë juridike Ligji për Procedurën Kontestimore nuk e ka pasur të rregulluar.

p.s. Rafet Haxhaj është gjyqtar në Gjykatën e Apelit. Vlerësimet dhe mendimet e dhëna në këtë shkrim janë vetëm të autorit dhe nuk shprehin domosdoshmërisht qëndrimin e gjykatës në të cilën ai punon.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit