Demokracia në Veprim (DnV) ka reaguar pas emërimit të anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
DnV vlerëson se KQZ-ja ende nuk është kompletuar dhe aktualisht ka 10 nga 11 anëtarët e paraparë me Kushtetutë.
Sipas DnV-së, fakti që KQZ-ja mund të funksionojë edhe me 10 anëtarë nuk mund të përdoret si arsyetim për mosplotësimin e përbërjes së saj.
“Kushtetuta e ka përcaktuar përbërjen e KQZ-së dhe respektimi i saj nuk mund të varet nga vlerësimi nëse mungesa e një anëtari e pengon apo jo punën e përditshme. Normalizimi i një praktike të tillë krijon precedent të dëmshëm, dobëson sigurinë juridike dhe cenon besimin në institucionin që ka përgjegjësinë kryesore për administrimin e zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin për media.
Organizata i ka bërë thirrje Haxhiut që pa vonesë ta emërojë edhe anëtarin e 11-të, duke kërkuar që procesi të bëhet në përputhje me modelin e përfaqësimit të grupeve parlamentare.
“Prandaj, Demokracia në Veprim i bën thirrje U.D. Presidentes Albulena Haxhiu që pa vonesë ta përmbyllë procesin dhe ta kompletojë KQZ-në me anëtarin e njëmbëdhjetë. Emërimi duhet të bëhet në përputhje me modelin strikt të përfaqësimit të grupeve parlamentare, të zbatuar në praktikën institucionale deri në ciklin e fundit, ku grupet përfaqësohen fillimisht në mënyrë të barabartë dhe vendet shtesë plotësohen sipas radhës së grupeve më të mëdha”, thuhet në njoftim.






