Kosova sërish ngel në testin PISA: Qeveria Kurti fajësohet për rezultatet e dobëta të nxënësve

- Advertisement -

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar rezultatet e testit PISA 2025, të cilat tregojnë se performanca e nxënësve 15-vjeçarë ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2022 në shkencë dhe lexim, ndërsa në matematikë është shënuar rënie. Kosovarët sërish janë kah fundi i listës.

 

Kosova sërish ka “ngelur” në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA).rezultatet në rezultate e PISA-së.

Edhe pas 6 viteve në pushtet të Qeverisë Kurti, Kosova vazhdon të renditet ndër vendet me performancën më të dobët në rezultate e testit PISA.

Në bazë të këtyre rezultateve, Kosova është vendi i fundit në Evropë.

Sipas rezultateve të publikuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nxënësit kosovarë kanë marrë mesatarisht 357 pikë, ndërsa në lexim 340 pikë.

Në matematikë, rezultati është 350 pikë, pesë pikë më i ulët se në PISA 2022. Në të katër treguesit kryesorë të vlerësimit, performanca e Kosovës mbetet nën mesataren e vendeve të OECD-së.

Për këto rezultate është kritikuar ashpër Qeveria Kurti, e cila është në pushtet që 6 vite.

Zyrtarët e partive opozitare dhe njohësit e fushës së arsimit kanë bërë me dije se Qeveria nuk ka bërë asgjë për ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.

Më i ashpri në këtë drejtim ka qenë analisti Dardan Sejdiu.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se Kosova ka shënuar rezultate edhe më të dobëta së në vitin 2022.

“Ne matematike, rezultati eshte 350 pike, pese pike me i ulet se ne PISA 2022.” Pas gjashte vjetesh qeverisje, femijet tane po dalin me rezultate me te dobeta. Kaq per “ndryshimin”. Sepse pas gjashte vjetesh nuk mundesh me tregu ma kush e la keq. Qeverisja matet me ate qe e ke bo ma mire. ‘Bota ka ec. Na kemi ngec’. – Po te ishte dikush tjeter ne pushtet, ky do te ishte slogani. Sot eshte rezultati i qeverisjes. Na prifte e mbara!”, ka shkruar ai.

 

Kritika për Qeverinë Kurti kanë shprehur edhe partitë opozitare.

Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka qenë ndër të parët që ka reaguar ndaj këtyre rezultateve.

Ajo ka bërë me dije se është e papranueshme që rezultatet e nxënësve të Kosovës në PISA të vazhdojnë të bien.

Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se arsimi ende pret të trajtohet me seriozitetin që meriton.

“Është e papranueshme që rezultatet e nxënësve të Kosovës në PISA të vazhdojnë të bien, ndërsa arsimi ende pret të trajtohet me seriozitetin që meriton. Krahasuar me vitin 2015, përqindja e nxënësve që mbeten nën nivelin bazë të aftësive është rritur me 7 pikë përqindjeje në matematikë, 7 në lexim dhe 11 në shkencë. Këto shifra janë alarmante, sepse pas tyre janë fëmijë që po kalojnë vite në shkollë pa marrë përgatitjen që u duhet për jetën”, ka shkruar ajo, duke dhënë detaje tjera.

Edhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, e ka fajësuar ekzekutivin.

Ai ka vlerësuar se edhe vendet që për vite të tera janë në luftë, janë renditur më lartë së Kosova.

“Palestina është në luftë të thellë qe 3 vjet. Paskan rezultuar më të mirë se Kosova në PISA”, ka shkruara ai.

 

Kurse zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka vlerësuar se me pushtetin e VV-së Kosova po ngel në të gjitha fushat.

“Kosova po ngel me këtë pushtet të Vetëvendosjes (VV) në të gjitha fushat, jo vetëm në testin PISA, siç po shihet në këto 6 vjet. Po bëhen gati dy vjet që Kuvendi i Republikës së Kosovës është në të vërtetë jofunksional, sepse e ka pezulluar VV-ja triumfatore në zgjedhje. I ka marrë peng Qeverinë dhe Presidencën, që janë nën drejtimin antikushtetues të deputetëve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu. A e mban mend kush kur është diskutuar së fundi në Kuvend e Kosovës për gjendjen e mjerueshme në arsim? Në cilën legjislaturë të Kuvendit? Në tri të fundit jo se jo.”, ka shkruar ai.

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) 2025 morën pjesë gjithsej 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës. Rezultatet e publikuara tregojnë se performanca e nxënësve në vend vazhdon të mbetet nën mesataren e vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Në shkencë, nxënësit e Kosovës kanë shënuar mesatarisht 357 pikë, rezultat i njëjtë me atë të vitit 2022. Në lexim, rezultati ka qenë 340 pikë, dy pikë më i ulët krahasuar me vitin 2022, kur ishte 342 pikë.

Rënia më e dukshme është regjistruar në matematikë, ku nxënësit kanë arritur mesatarisht 350 pikë, pesë pikë më pak se në vitin 2022.

Ndërkaq, rezultati më i lartë në katër treguesit kryesorë të performancës është shënuar në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, me gjithsej 359 pikë.

Një prej gjetjeve të spikatura të PISA 2025 është performanca më e lartë e vajzave në raport me djemtë.

Në shkencë, vajzat kanë shënuar 366 pikë, ndërsa djemtë 347 pikë, me një diferencë prej 19 pikësh.

Dallimi është edhe më i madh në lexim. Vajzat kanë arritur 358 pikë, ndërsa djemtë 322 pikë, duke krijuar një diferencë prej 36 pikësh.

Në matematikë, rezultatet janë pothuajse të barabarta: 351 pikë për vajzat dhe 350 pikë për djemtë.

Të dhënat tregojnë se një prej sfidave kryesore mbetet rritja e numrit të nxënësve që arrijnë të paktën Nivelin 2 të aftësive, i konsideruar si niveli bazë i performancës.

Në vitin 2025, vetëm rreth 21 për qind e nxënësve në Kosovë kanë arritur këtë nivel në shkencë, rreth 15 për qind në matematikë dhe rreth 16 për qind në lexim.

Në të njëjtën kohë, numri i nxënësve që arrijnë nivelet më të larta të performancës mbetet shumë i ulët.

Sipas leximit preliminar të rezultateve, kjo kërkon një qasje të dyfishtë, mbështetje më të madhe për nxënësit me rezultate të ulëta, por edhe programe të veçanta për identifikimin dhe zhvillimin e potencialit të nxënësve me performancë të lartë.

Vijueshmëria në shkollë është një tjetër çështje që del në pah nga rezultatet.

Rreth 54 për qind e nxënësve kanë raportuar se kanë munguar të paktën një ditë gjatë dy javëve para testit, ndërsa 56 për qind kanë deklaruar se kanë munguar të paktën në një orë mësimore.

Këto të dhëna, sipas gjetjeve, nënvizojnë nevojën për mekanizma më të mirë të monitorimit të vijueshmërisë dhe për një bashkëpunim më të strukturuar ndërmjet shkollave, prindërve dhe nxënësve.

Të ngjashme

Të fundit