Zëri i Veselit në përballjen e fundit në Hagë: E vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia

- Advertisement -

Një datë, katër emra dhe një verdikt që po pritet me ankth në Kosovë. Më 16 shtator, pas vitesh përballje me drejtësinë në Hagë, Kadri Veseli, bashkë me Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, do të përballet me vendimin final të Gjykatës Speciale.

Por, para se të vijë ai moment, rikthehen në vëmendje fjalët e Veselit nga 18 shkurti, fjalë të thëna në sallën e gjyqit, por që sot, në prag të vendimit, tingëllojnë ndryshe, transmeton Klankosova.tv.

Me zërin e një njeriu që tha se nuk e kishte humbur besimin as në momentet më të errëta, Veseli kërkoi drejtësi, të vërtetën dhe paanshmëri, duke lënë pas një fjali që tashmë merr peshë të veçantë.

“Gjykata duhet me çdo kusht të mbrojë drejtësinë, të vërtetën dhe paanësinë. I kam shërbyer gjithë jetën time vendit tim, që çdo qytetar të gëzojë drejtësi dhe bota ta njeh të vërtetën. Edhe në momentet më të errëta, nuk e humba kurrë besimin se e drejta, e vërteta dhe liria do të triumfonin”.

Më 16 shtator nuk do të jetë vetëm një datë në kalendar, do të jetë një ditë kur sytë e Kosovës do të drejtohen nga Haga, ndërsa një kapitull i gjatë gjyqësor do të arrijë në pikën e tij vendimtare. Dhe mes gjithë kësaj pritjeje, mbetet zëri i Veselit, i bindur se, në fund, drejtësia duhet të flasë më fort se çdo akuzë.

Më poshtë, fjala përfundimtare e Kadri Veselit më 18 shkurt 2026:

Në fund të gjykimit tim po ju drejtohem për të theksuar një pikë të vetme, por të jashtëzakonshme prej rëndësie. Gjykata duhet me çdo kusht të mbrojë drejtësinë, të vërtetën dhe paanësinë. Kjo nuk është thjesht një detyrë ligjore; është kontributi i saj i madh dhe trashëgimia që do të mbetet prej kësaj gjykate.

Ky është edhe shkaku pse ju bashkova atyre mijëra grave dhe burrave që u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e Kosovës dhe pse i kam shërbyer gjithë jetën time vendit tim, që çdo qytetar të gëzojë drejtësi dhe që bota ta njohë të vërtetën për kombin tonë.

Edhe në momentet më të errëta nuk e humba kurrë besimin se e drejta, e vërteta dhe liria do të triumfonin. Kam besuar gjithmonë se populli i Kosovës, si çdo popull tjetër në botë, kishte të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar në liri dhe me dinjitet. Kam besuar se vuajtjet do të merrnin fund dhe se drejtësia do të vinte, edhe nëse me vonesë.

Në të njëjtën kohë, kurrë nuk kam besuar se dhuna, urrejtja apo hakmarrja mund të jenë udhërrëfyes të ndershëm. Ato shkatërrojnë shpirtin e një populli, jo vetëm të viktimës. Urrejtja është vetëm një formë tjetër e robërisë. Liria nuk mund të arrihet përmes padrejtësisë. As paqja nuk mund të ndërtohet mbi krim. Një kauzë e drejtë nuk mund të mbrohet me mjete të padrejta.

Ky nuk ka qenë vetëm një parim teorik për mua, por një bindje e thellë morale që ka udhëhequr secilin veprim tim. Familja ime dhe unë kemi jetuar nën persekutim të vazhdueshëm të shtetit serb. Ky nuk është përshkrim abstrakt; është një realitet konkret, i cili e ka prekur secilin anëtar të familjes sime, por edhe mbarë popullin tim. Burrat, gratë, fëmijët, pa përjashtim, përballeshin çdo ditë me padrejtësi, frikë dhe pasiguri.

Unë e di çfarë do të thosh të jesh i pambrojtur. E di çfarë do të thosh të jetosh në kërcënim të vazhdueshëm. Kjo është një përvojë që nuk ia dëshiroj askujt, por më mësoi edhe një të vërtetë thelbësore: në padrejtësi njeriu duhet të ruajë integritetin moral dhe vlerat themelore të humanes.

Disa mund të pyesin: a janë vetëm fjalë këto, apo janë pasqyruar edhe në jetën dhe veprimet e mia? Përgjigja ime sot është e qartë: jo vetëm në fjalët e mia, por mbi të gjitha në provat e paraqitura para kësaj gjykate. Pas dekadash hetimesh, dokumentash dhe dëshmish të panumërta, nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer ndonjë krim. Nuk është provuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime.

Kjo nuk është çështje interpretimi; kjo është çështje fakti. Sa i përket pjesëmarrjes sime në luftë, ajo nuk ka lindur prej dëshirës sime për konflikt. Si i ri, kam dëshiruar edhe unë një jetë të thjeshtë, të jetoja në vendin tim me dinjitet, në paqe me familjen time.

Terrori dhe masakrat si ato në Srebrenicë filluan me ndodhë edhe në vendin tim, në Kosovë. S’mund të qëndroja indiferent. Jeta ime kishte kuptim vetëm nëse populli im mund të jetonte në liri, prandaj u ktheva në Kosovë. Jo si ushtar i trajnuar, por si student.

Krijimi i kësaj gjykate është rezultat i një debati të gjerë në vendin tim, por mbi të gjitha, ajo që duhet të mbizotërojë prej saj është drejtësia dhe paanshmëria në gjykimin e së vërtetës dhe në realitetin objektiv në të cilin kemi vepruar. Qëndroj këtu me bindje dhe me besim se e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia, dhe se drejtësia mund të vonohet, por nuk mohohet kurrë. Kam jetuar me këtë bindje. E di kush jam, e di çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë.

Tragjedia në Prekaz më 5, 6, 7 mars 1998 nuk ka qenë një akt i izoluar, por vazhdim i masakrave të kryera prej forcave serbe. Akte të tilla terrori tejkaluan frikën normale të popullit të thjeshtë dhe drojën e intelektualëve dhe politikanëve në Kosovë.

Terrori dhe masakrat, si ato në Srebrenicë, kishin filluar të ndodhnin edhe në vendin tim, në Kosovë. Nuk mund të qëndroje indiferent ndërsa populli im po përballej me shkatërrim. Për mua, jeta kishte kuptim vetëm nëse populli im mund të jetonte në liri. Prandaj jam kthyer në Kosovë, jo si ushtar i trajnuar, por si një individ ende në studime. Jo me urrejtje, por me bindje. U ktheva sepse ndjeva detyrim moral ndaj vendit tim. U ktheva sepse nuk mund të qëndroja indiferent ndaj vuajtjeve të popullit tim.

Synimi im ishte i qartë: kontribuova për lirinë dhe dinjitetin e popullit tim, por mos t’i bëja askujt padrejtësi. Kam parë këto muajt e fundit në këtë sallë se sa lehtë disa e nënvlerësojnë vështirësinë e ndalimit të një konflikti dhe arritjes së paqes. Por historia na mëson se ata që vendosin paqe shpesh përballen me pasoja.

Duke parë realitetin e sotëm, kur bota ka aq shumë nevojë për paqe, është e qartë se ajo nuk arrihet gjithmonë lehtë dhe, për ta ruajtur atë, shpesh është edhe më e vështirë. Të nderuar trup gjykues, krijimi i kësaj gjykate dhe funksionimi i saj deri më sot është një rezultat i një debati të gjerë në vendin tim, por mbi të gjitha ajo që duhet të mbizotërojë prej saj është drejtësia dhe paanshmëria në gjykimin e të vërtetës dhe realitetit objektiv, në të cilin kemi vepruar ne.

Unë qëndroj në këtë proces me bindje dhe besim se e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia, dhe se drejtësia mund të vonohet, por nuk mohohet kurrë. Kam vepruar me këtë bindje. Kam jetuar me këtë bindje. Këtu, para jush, qëndroj me këtë bindje dhe me siguri mund të them: unë e di kush jam, unë e di çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë. Veprimet e mia kanë qenë njerëzore dhe ligjore. Ndërgjegja ime është e pastër. Historia ime është transparente. Tani, çdokush mund ta shohë atë edhe në këtë proces gjyqësor.

Duke mbyllur fjalën time, i nderuar trup gjykues, me respekt për secilin në këtë sallë edhe jashtë saj, edhe pse mund të mos pajtohemi, dua të theksoj: ne të gjithë jemi qenie humane me prirje dhe mendime të ndikuara nga ata që na rrethojnë dhe nga ambienti ku jetojmë. Besimi im tek e vërteta dhe drejtësia mbetet i palëkundur, dhe dua të besoj fuqishëm se në vendimin tuaj do të mbizotërojë vetëm e vërteta, paanshmëria, drejtësia dhe ligji.

I nderuar trup gjykues, duke qenë se dje ka qenë dita e pavarësisë së shtetit tim, kam vetëm një përshëndetje në fund për gjithë qytetarët e vendit tim: urime pavarësia! Ta gëzoni, qytetarët e Republikës së Kosovës, lirinë. Zoti e ndihmoftë Kosovën dhe njerëzit e saj të mirë.

Në fund, kam dëshirë të bëj edhe një përshëndetje të veçantë për familjen e një miku tim dhe mbrojtësin, të cilin sot nuk e kemi mes nesh, Andrew Strong. Në të njëjtën kohë, dua të falënderoj edhe ekipin tim mbrojtës për profesionalizmin e tyre dhe sinqeritetin në mbrojtjen time.

Ju faleminderit të gjithëve

Të ngjashme

Të fundit