Gërvalla: Strategjia e re Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna duhet të adresojë sfidat konkrete dhe të sjellë hapa të guximshëm në parandalimin dhe luftimin e dhunës

- Advertisement -

 

Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë është duke u mbajtur mbledhja e parë e Grupit Punues për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore 2027–2031.

 

Takimin e hapi Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, e cila u shpreh e lumtur që, pas konsultimeve paraprake me grupe të ndryshme, ka ardhur momenti për hartimin e Strategjisë së re 2027–2031.

 

Ajo theksoi rëndësinë që Strategjia e re të adresojë sfidat konkrete dhe të sjellë hapa të guximshëm në parandalimin dhe luftimin e dhunës.

 

“Për Strategjinë 2027-2031 duhet të jemi të guximshëm, duhet të adresojmë tema të cilat na duken sot që janë të vështira, mirëpo po të mos kishte qenë Strategjia aktuale e guximshme, atëherë edhe hapat nuk do të kishin qenë efikas”, u shpreh Ministrja Gërvalla, duke theksuar se puna në këtë fushë ka ndikim jo vetëm te gratë, por edhe te fëmijët dhe familjet, prandaj qasja duhet të jetë më e gjerë dhe gjithëpërfshirëse.

 

Ajo shtoi se, veçanërisht në rastet e luftimit të dhunës në familje tregohet se, krijimi i mekanizmave parandalues, luftues, por edhe atyre ndëshkues, kanë efekt.

 

“Fakti që është rritur dukshëm numri i rasteve të raportuara, nuk besoj që ka të bëjë aq shume me rritjen e rasteve, por përkundrazi me efektet që janë krijuar nga fushatat e vazhdueshme ndërgjegjësuese që janë bërë, dhe nga fakti që gjithnjë e më shumë mekanizma shtetërore janë të angazhuar me qëllim që këtë fenomen, i cili nuk është fenomen as shqiptar, as fenomen vetëm i Kosovës por është një fenomen ndërkombëtar, në vendin tonë me mekanizma efikas të luftohet deri aq sa kemi mundësi”, tha Ministrja Gërvalla.

 

Ministrja vlerësoi veçanërisht kontributin e shoqërisë civile, organizatave dhe individëve që për vite me radhë janë marrë me këtë fenomen dhe kanë kërkuar me këmbëngulje që institucionet ta trajtojnë dhunën me seriozitetin që kërkon.

 

Gjatë takimit janë duke u zhvilluar diskutime dhe duke u dhënë kontribute nga anëtarët e Grupit Punues lidhur me gjetjet e analizës së Strategjisë aktuale, si dhe objektivat strategjike dhe specifike që do të përfshihen në Strategjinë e re.

 

Grupi Punues do të vazhdojë punën edhe në takimet e radhës, me qëllim të hartimit të Strategjisë Kombëtare 2027–2031, e cila synon forcimin e politikave dhe mekanizmave institucionalë për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe rritjen e koordinimit ndërinstitucional në këtë fushë.

 

Të ngjashme

Të fundit