Kosova është pranuar në sistemin ndërkombëtar ATA Carnet, mekanizëm që mundëson qarkullimin e përkohshëm të mallrave dhe lehtëson procedurat doganore për bizneset që operojnë në tregjet ndërkombëtare.
Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se dokumenti ATA Carnet, i njohur si “pasaporta e mallit”, do të lëshohet nga OEK dhe do t’u mundësojë bizneseve eksportin e përkohshëm të mallrave, pajisjeve profesionale, mostrave, si dhe produkteve që përdoren në panaire e ekspozita jashtë vendit.
Sipas OEK-ut, përdorimi i këtij dokumenti mundëson qarkullimin e përkohshëm të mallrave pa pagesën e detyrimeve doganore dhe taksave të importit, në përputhje me rregullat e vendeve pritëse.
Nga OEK kanë vlerësuar se përfshirja në sistemin ATA Carnet krijon mundësi për rritjen e pjesëmarrjes së kompanive kosovare në panaire dhe ekspozita ndërkombëtare, promovimin e produkteve “Made in Kosovo”, zgjerimin e eksporteve dhe krijimin e lidhjeve të reja tregtare.
“Anëtarësimi në sistemin ATA Carnet ul barrierat administrative dhe ua lehtëson bizneseve tona daljen në tregjet e huaja, duke krijuar mundësi të reja për eksport, investime dhe rritje ekonomike”, thuhet në njoftimin e OEK-ut.
OEK ka bërë të ditur se do t’i informojë bizneset për procedurat dhe kushtet për përfitimin dhe përdorimin e dokumentit ATA Carnet.






