Deputeti i Kosovës Haki Abazi shprehu shqetësim të thellë për deficitin tregtar të përshkallëzuar të vendit dhe rritjen eksponenciale të çmimeve të ushqimeve.
Abazi kritikoi politikat ekonomike të qeverisë gjatë katër viteve të fundit, duke theksuar se “me konceptin e sadakasë” ka kontribuar në rritjen e importeve dhe çmimet e papërballueshme të ushqimeve.
“Gjithëçka që është bërë me konceptin e sadakasë për katër vite dhe me qëllim për të ngulfatur sektorin privat, ka rezultuar në import të lartë dhe çmime të ngritura deri në pamundësi për të blerë artikuj esencial ushqimorë. Sot një kilogram domate, në shtator në Kosovë kalon 1.5 euro ndërsa spinaqi kalon 5 euro për kg, nuk flitet që në shportën e familjes mesatare në Kosovë të përfshihen artikuj organik dhe me vlera ushqyese që forcojnë imunitetin e popullit.” – tha ai ndër të tjera.