Komisioni për të Zhdukurit: Çdo rezultat është një hap drejt së vërtetës për familjet

- Advertisement -

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka vlerësuar mbështetjen ndër vite të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP), duke theksuar se procesi i identifikimit të personave të zhdukur duhet të vazhdojë deri në zbardhjen e fatit të tyre.

Këto vlerësime u bënë në takimin përmbyllës të projektit të ICMP-së, të realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, ICMP-së dhe shoqatave të familjeve të personave të zhdukur.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, shprehu mirënjohje për mbështetjen e ICMP-së, duke veçuar kontributin në identifikimet përmes ADN-së, fuqizimin e kapaciteteve institucionale, mbështetjen e familjeve, avancimin e bazave të të dhënave dhe bashkëpunimin rajonal.

Ai tha se përmbyllja e projektit duhet të shërbejë si bazë për një etapë të re në këtë proces.

“Për ne, çështja e personave të zhdukur nuk është vetëm një çështje institucionale. Ajo është para së gjithash një çështje njerëzore, një obligim ndaj familjeve dhe një përgjegjësi ndaj së vërtetës. Prandaj, çdo rezultat i arritur ndër vite nuk duhet parë vetëm si një statistikë, por si një hap drejt një të vërtete që kërkon të dalë në dritë dhe drejt një drejtësie që ende mbetet e domosdoshme”, theksoi Kryesuesi i Komisionit, Limani.

Për projektin, aktivitetet dhe rezultatet e arritura foli udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara, i cili vlerësoi mbështetjen dhe bashkëpunimin me partnerët, por theksoi nevojën për fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve vendore.

“Mbështetja e partnerëve ka qenë dhe mbetet e rëndësishme, por synimi ynë duhet të jetë që kapacitetet e krijuara ndër vite të fuqizohen dhe procesi të bartet në tërësi tek institucionet kompetente të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Gara tha se suksesi i këtij bashkëpunimi nuk duhet të matet vetëm me projektet dhe aktivitetet e realizuara, por mbi të gjitha me rezultatet që marrin familjet e personave të zhdukur.

“Partneriteti i vërtetë nuk matet vetëm me kohëzgjatjen e tij. Në fund, suksesi ynë i përbashkët nuk do të matet me numrin e projekteve, takimeve apo databazave që kemi krijuar. Do të matet me numrin e familjeve që, pas gjithë këtyre viteve, më në fund marrin përgjigjen që u takon”, theksoi udhëheqësi i Njësisë.

Të arriturat dhe rezultatet e projektit gjatë viteve të fundit u prezantuan nga përfaqësuesit e ICMP-së, Samira Krehic dhe Luigj Ndou.

Në takim me fjalë rasti u drejtuan edhe Sara Lindblom nga Ambasada Suedeze, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Forenzikës, Shemsi Duriqi, si dhe major Bashkim Spahiu, drejtor i Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës

Të ngjashme

Të fundit