8.3 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Komandanti i KFOR-it: Zgjidhja e sfidave të sigurisë Kosovë-Serbi nuk është ushtarake, por politike

- Advertisement -

Komandanti i ri i KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, në një intervistë për Radio K4, ka thënë se siguria në Kosovë është përmirësuar dukshëm nga periudha e pasluftës.

Në këtë intervistë, ai foli edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë, teksa shtoi se zgjidhja e sfidave të sigurisë nuk është ushtarake, por politike.

“Gjithashtu i bëj thirrje të dyja palëve, institucioneve në Kosovë dhe Qeverisë së Serbisë, që të angazhohen në dialog politik. Zgjidhja e sfidave të sigurisë nuk është në fund të fundit ushtarake, por politike. Zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura përmes dialogut është çelësi për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal”.

Ndër të tjera, ai theksoi se në botë, situata e sigurisë po evoluon dhe po përkeqësohet me shpejtësi dhe gjithashtu, ai tha se as rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk është i përjashtuar nga ky evolucion.

“Sa i përket sigurisë, në bazë të përvojave të mia të mëparshme, mund të them se gjendja e sigurisë në Kosovë në fakt është e përmirësuar në krahasim me të kaluarën. Kjo është arsyeja pse KFOR-i ka reduktuar praninë e tij me kalimin e kohës. Më kujtohet se kontingjenti i KFOR-it fillimisht ishte i përbërë nga rreth 50.000 ushtarë të NATO-s, ndërsa sot numri i trupave është rreth 4.500”.

“Megjithatë, dhe për fat të keq, sot jetojmë në një botë në të cilën situata e sigurisë po evoluon dhe po përkeqësohet me shpejtësi dhe gjithashtu rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk është i përjashtuar nga ky evolucion. Në këtë kuptim, KFOR-i tashmë ka përshtatur praninë e tij në të gjithë Kosovën, duke përfshirë vendosjen e fundit të forcave rezervë të NATO-s, në mënyrë që të vazhdojë të ekzekutojë siç duhet detyrat e tij dhe të marrë të gjitha aftësitë e nevojshme që kërkon situata në terren”, u shpreh komandanti i KFOR-it.

Tutje, ai tha se KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes në tërë Kosovën.

Në të njëjtën kohë, Barduani tha se KFOR-i do të mbështesë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar kushte për një të ardhme më të mirë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të ruajtur komunikimin dhe dialogun e hapur.

“KFOR-i do të mbetet një element integral i një përpjekjeje kolektive të kryer nga komuniteti i gjerë ndërkombëtar. Pra, mund të parashikoj që edhe në të ardhmen e afërt KFOR-i do të punojë ngushtë me një gamë të gjerë homologësh, nga Kombet e Bashkuara te Bashkimi Evropian, nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë deri te Trupi Diplomatik në Prishtinë dhe në Beograd, nga Organizatat e Sigurisë së Kosovës deri te Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë”.

“Shkurtimisht: transparenca, paanshmëria, përkushtimi dhe uniteti i përpjekjeve do të mbeten në qendër të misionit të KFOR-it dhe do të mbështesin aktivitetet tona të përditshme, siç është edhe sot”, deklaroi italiani.

Tutje, komandanti italian i KFOR-it foli edhe për moton të cilën ia ka vënë vetes së tij në këtë mision.

“Kur u emërova si komandant i ri i KFOR-it, pyeta veten se cili ishte elementi më i rëndësishëm i misionit të KFOR-it për mua. Kështu, unë kam zgjedhur këtë moto ‘Unitas Omnia Vinciť’. Është në latinisht dhe mund ta përkthejmë në anglisht si ‘Uniteti fiton mbi të gjitha’ ose, më mirë, ‘Uniteti i njerëzve fiton mbi të gjitha’. Në të vërtetë, jam plotësisht i bindur se suksesi i misionit të KFOR-it mund të arrihet vetëm përmes kohezionit dhe unitetit, jo vetëm brenda KFOR-it, por edhe në mesin e të gjitha palëve të interesuara në terren, nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar deri te institucionet në Kosovë, e deri te njerëzit. Në të njëjtën kohë, ai gjithashtu thekson përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin përmes angazhimit, dialogut, sinqeritetit, paanshmërisë dhe respektit të ndërsjellë”, deklaroi Gjeneralmajor Enrico Barduani.

Ai tha se i marr jashtëzakonisht seriozisht të gjitha shqetësimet e sigurisë, ndërsa u shpreh se KFOR-i do të veprojë në kohën e duhur dhe në koordinim me të gjithë reaguesit e tjerë të sigurisë.

Ndër të tjera, ai falënderoi bashkëluftëtarët e tij në KFOR.

“Profesionalizmi i ushtarëve të KFOR-it është vendimtar për suksesin e misionit, i cili synon mirëqenien dhe sigurinë e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve që jetojnë në Kosovë”.

“Së fundi, më lejoni t’u bëj homazhe ushtarëve të rënë dhe të plagosur të KFOR-it. Me kalimin e kohës, sakrifica e tyre ka kontribuar në rivendosjen e paqes, stabilizimin e situatës dhe sigurimin e kushteve më të mira të jetës për të gjithë njerëzit në Kosovë. Besoj se të gjithë duhet t’u jemi mirënjohës”, potencoi komandanti i ri i KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit