Kodra: Mos lejoni të manipuloheni, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është themeluar moti

- Advertisement -

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë ditës së sotme njoftoi se të hënën (1 qershor), me vendim të qeverisë, ka hyrë në fuqi zbatimi i Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Ndërkaq, ai tha se të martën nis hapi i parë i zbatimit të këtij ligji, “me fillimin e procesit për themelimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës”.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të sistemit të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor dhe zbatimit gradual të të drejtave dhe përfitimeve që parashihen me këtë ligj”, u shpreh Vitia në një postim në Facebook.

Mirëpo, dikush po e konteston këtë deklarim të ministrit në detyrë.

Besim Kodra, kandidat i LDK-së për deputet, përmes një postimi në Facebook, tha se qeveria në detyrë është duke mashtruar me këtë çështje, pasi sipas tij, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është themeluar qysh më 2022 nga Qeveria Kurti, dhe madje, në atë fond aktualisht janë rreth 50 të punësuar.

“Përtej fushatës zgjedhore, po ju tregoj se… Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është i themelum moooti (foto në 2022)… madje edhe para këtij viti. Për me e vërtetu këtë, vetë kjo qeveri e ka hapë konkursin dhe e ka zgjedhë drejtorin e tij. Madje, ministri i Shëndetësisë ka qenë kryetar i Bordit të Fondit! Aq ma tepër, aty tashmë janë në punë afër 50 punëtorë”, tha Kodra.

Tutje, ai tha se në vendimin e publikuar nga qeveria, “pika 1 nuk flet me pikën 2”.

“Në njërën anë po thuhet që Fondi nuk ekziston, ndërsa në anën tjetër për zbatimin e vendimit obligohen Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore”.

“Qysh mundet me u obligu me zbatu një vendim një institucion që, sipas të njëjtit dokument, nuk ekziston? Kjo nuk ka kurrfarë kuptimi”, u shpreh Kodra, i cili është edhe kryetar i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK).

Ai kërkoi nga opinioni që të mos bien pre e këtij “manipulimi me vendime që janë fantazi elektorale për me marrë vota”.

“Kanë qenë 6 vjet në dispozicion dhe ka dështuar implementimi. Nuk mundeni me një vendim që s’ka pikë kuptimi me na bë me besu që diçka ka me ndodh”, deklaroi Besim Kodra, kandidat i LDK-së për deputet për zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas të dhënave publike, më 15.05.2014, Ligji Nr. 04/L-249 për Sigurimin Shëndetësor ka hyrë në fuqi.

Pika 2 e Nenit 1 i këtij ligji thotë: “Me këtë ligj themelohet Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i Republikës së Kosovës”.

E pika 3, thotë: “Me këtë ligj rregullohet funksionimi dhe financimi i Fondit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor të Republikës së Kosovës”.

Të ngjashme

Të fundit