26.8 C
New York
Friday, May 3, 2024

Buy now

KMDLNj: Tatimi në pronë apo legalizimi i pronësisë së shtetit mbi plaçkitjen e qytetarëve!

- Advertisement -

Reagim i KMDLNj-së

KMDLNj-së i janë drejtuar shumë qytetarë pas vendimit që faturat e tatimit në pronë, krahasuar me vitin 2022 janë rritur deri më 120 për qind më shumë. Pas këtij veprimi prej kusarëve të Ministrisë së Financave, komunat i kanë bërë publike faturat e tatimit për pronë për vitin 2023, duke u arsyetuar se përgjegjësia bie mbi Ministrinë për Financa që e paska bërë rivlerësimin e pronave dhe se komunat janë të detyruara të zbatojnë vendimin e kësaj ministrie ndonëse, gjithnjë sipas deklaratave të kryetarëve të komunave, ata nuk qenkan pajtuar me këtë vendim. Qytetari i Kosovës është futur në gërshërë midis dy mashtruesve, Ministrisë së Financave dhe komunave të cilët ua hedhin përgjegjësinë njëra – tjetrës deri sa faturat janë me shifra të papërballueshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës.

Ministria e Financave nuk e ka bërë as veprimin simbolik për t’ua lehtësuar gjendjen e rënduar ekonomike pjesës më të madhe të qytetarëve të Kosovës në kohën kur inflacioni ka kaluar 12 për qind kurse çmimet e artikujve të domosdoshëm elementarë për shumicën e qytetarëve të Kosovës janë rritur mbi 50 për qind.
Të gjitha shërbimet janë rritur që nga sigurimet e automjeteve, karburantet, shërbimet bankare, shërbimet shëndetësore, çmimet e barnave, biletat në trafik kurse, në anën tjetër nuk kemi rritje të pagave, pensionet janë më të ulëta në rajon, asistenca sociale që ofron qeveria është simbolike, bizneset kanë falimentuar apo janë buzë falimentimit ndërsa përkrahen, një herë në vit me nga 50 euro të punësuarit në sektorin publik kurse dhunohen të drejtat e të punësuarve në sektorin privat duke mos u përkrahë asnjëherë dhe, së fundi, në vend se të ketë lehtësira për këtë gjendje të rënduar ekonomike të qytetarëve, Ministria e Financave, pandershërisht godet qytetarët duke ua dyfishuar faturat e tatimit në pronë.

Qytetarët kundërligjshëm detyrohen që tatimin në pronë ku përfshihet periudha një vjeçare, ta shlyejnë në afatin nëntë mujor dhe, nëse vonoheni për t’i paguar faturat në afatet e parapara, atëherë do të gjobiteni me shumë 0.65 centë për një ditë dhe 10 për qind nga vlera e faturës së tatimit në pronë.
Tatimi në pronë sidomos ka treguar rritje jonormale në komunën e Prishtinës e cila edhe në fushat tjera ka krijuar mekanizma të kundërligjshëm për të plaçkitur qytetarët e Prishtinës dhe ata që e vizitojnë Prishtinën. Në Prishtinë vepron një njësi paramilitare që ishte formuar pa asnjë bazë ligjore nga qeveria paraprake komunale e quajtur “Prishtina Parking“ e cila, në kundërshtim të plotë me ligjin e merr rolin e inspektoratit, të policisë së trafikut rrugor, të prokurorit dhe të gjykatësit ku, vet të dënon dhe vet të ekzekuton.

Çmimet i kanë në nivel të kryeqendrave evropiane dhe botërore dhe kanë gllabëruar çdo hapësirë që janë të caktuara për qytetarët, madje edhe trotuaret ku kanë vendosur matësit e parkingut ndonëse me asgjë nuk ngjajnë një vendparkimi. Kjo dukuri është e theksuar sidomos në Dardani, Lagjen Bregu i Diellit dhe në Ulpianë ku edhe hapësirat për këmbësorë janë shndërruar në vendparkim. Pastaj, nëse qytetarët e Prishtinës janë të detyruar ta paguajnë tatimin enorm për pronë si dhe taksën rrugore, pse u dashka të paguajnë taksën për parkim për hapësirat që edhe ashtu tatimohen. Pastaj, çka ka investuar komuna e Prishtinës në këto hapësira që terrorizohen nga paramilitarët e Prishtina Parking për të vjel një taksë ndëshkuese?!
KMDLNj është kundër veprimit plaçkitës të Ministrisë së Financave për tatimin në pronë e që është në kundërshtim të plotë me gjendjen aktuale ekonomike për shumicën e qytetarëve të Kosovës sikur edhe kundër veprimeve arbitrare të Prishtina Parking që gjobit qytetarët e Prishtinës përtej mandatit që duhet ta kishte një kompani që ofron shërbime të kësaj natyre.

KMDLNj përkrahë kërkesat e drejta dhe të arsyeshme të qytetarëve kundër rritjes jonormale të faturave të tatimit në pronë si dhe sjelljes arbitrare të Prishtina Parking dhe kërkon që urgjentisht të rishqyrtohet vendimi për rritje të tatimit në pronë.
Për këtë duhet të rritet aktivizmi qytetar i cili do të kërkonte nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që në një interpelancë të veçantë të kërkojnë sqarime nga MF për këtë rritje si dhe rikthimin e tatimit në gjendje të mëparshme për aq kohë sa do ta kemi këtë gjendje të rënduar ekonomike.
Në të njëjtën kohë ky aktivizëm qytetar, i munguar por se mund dhe duhet të aktivizohet, duhet të bëjë presion dhe kërkojë që asamblistët e Komunës së Prishtinës të trajtojnë rastin e Prishtina Parking duke i disiplinuar që të sillen në përputhje me ligjin dhe duke marrë në përgjegjësi ata që sollën këtë situatë.

Mirëpo, nëse nuk do të kishte asnjë ndryshim, atëherë qytetarët duhet të vetorganizohen dhe të kërkojnë realizimin e të drejtave njerëzore të tyre përmes mosbindjes qytetare dhe kundërshtimeve tjera si protesta paqësore, marshe paqësore e që zbatohen në të gjitha vendet demokratike.

 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit