Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas publikimit të një artikulli për të në një medium serb.
Përmes një video-mesazhi, Kica-Xhelili tha se Serbia përdor taktika të ndryshme për të ndikuar në perceptimin publik në Kosovë, duke shtuar se lavdërimet nga mediat serbe nuk duhet të interpretohen si mbështetje.
“Serbia kur don me ta shkatërru reputacionin, të lavdon, e kur don me ta ndërtu mitin, të shan. Prandaj, mos u mashtroni. Sot paska dalur një artikull në një medium serb që po më ‘lavdon’ mu. Këtë e kishte shpërndarë njeriu i Vetëvendosjes (Jeton Mehmeti, shën.red.), aty e kuptova edhe unë”, tha ish-deputetja Kica-Xhelili.
Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën se si ishte trajtuar në artikull, duke e cilësuar gjuhën e përdorur si seksiste dhe paragjykuese ndaj grave në politikë.
“Me tituj të fryrë, me fjalë të mëdha e me gjuhën e tyre seksiste, që mendon se një grua në politikë duhet me u gjyku fillimisht nga pamja, e mandej nga gjykimet e saj”, u shpreh nënkryetarja e LDK-së.
Tutje, ajo theksoi se nuk ka nevojë për vlerësime apo kritika që vijnë nga Serbia.
“Unë s’kam nevojë për lavdata nga Serbia, as për shamje nga Serbia, e as për ‘certifikata’ të patriotizmit nga Beogradi”.
Në fund, Doarsa Kica-Xhelili akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se ka përvetësuar dhe përkryer, sipas saj, metodën e përlyerjes së kundërshtarëve politikë përmes referencave që lidhen me Serbinë.
“Kjo tregon se sa e vjetër dhe sa e ndytë është metoda e përlyerjes së shqiptarëve, përmes Serbisë, e fatkeqësisht Vetëvendosja e ka perfeksionuar këtë metodë”, potencoi nënkryetarja e LDK-së, Doarca Kica-Xhelili.






