Kica-Xhelili deklaron votën e saj për Bekim Sejdiun

- Advertisement -

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se në parim do ta mbështesë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, nëse për këtë arrihet konsensus brenda grupit parlamentar të LDK-së.

Kica-Xhelili tha se qëllimisht nuk ishte deklaruar më herët për kandidaturën, pasi Sejdiun e njeh prej vitesh në aspektin profesional, që nga koha kur ishte e angazhuar si avokate dhe kur kishte raste që kishin përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.

“Unë qëllimisht ende nuk jam deklaruar, meqë kam një prapavijë, le të themi, pak më ndryshe në raport me këtë kandidaturë, jo në kuptimin e saj negativ, natyrisht, sepse unë zotëri Sejdiun e kam njohur përmes angazhimit tim si avokate dhe asokohe natyrisht që kemi pasur lëndë të cilat kanë shkuar në Gjykatën Kushtetuese. Dhe njerëzit e profesionit e kuptojnë që, pavarësisht që respektohen të gjitha vendimet e gjykatave në Kosovë, janë disa vendime që ne zakonisht i cilësojmë si pak më cilësore se të tjerat, në kuptimin se si ato analizohen dhe shkruhen”, tha ajo.

Ajo theksoi se pikërisht për shkak të njohjes së gjatë profesionale me Sejdiun, vlerësimi i saj për kandidaturën është edhe më i drejtpërdrejtë.

“Rrjedhimisht, unë jam pak subjektive, nëse mund të them ashtu, kur vjen puna tek vlerësimi i kësaj kandidature, sepse zotëri Sejdiun e njoh në aspektin profesional shumë më gjatë sesa tani që u shpërfaq si një emër i cili po propozohet nga dy parti politike. Rrjedhimisht, duke qenë që unë mendoja që, le të thoshim, kontributin tim ta bëj në atë aspekt profesional, meqë mendoj që disa nga ne duhet të fokusohemi në atë që ne mendojmë që e njohim më mirë, zotëri Sejdiu, sa i përket kësaj në kuptimin profesional, i përmbush të gjitha kushtet që të mbështetet”, u shpreh Kica-Xhelili.

Megjithatë, ajo tha se çështja kryesore mbetet arritja e një konsensusi politik, pasi për zgjedhjen e presidentit kërkohet shumicë dhe mbështetje e mjaftueshme në Kuvend.

“Tani se si do të arrijmë apo a do të arrijmë që ta arrijmë një konsensus politik, sepse ju e dini që në fund të ditës vota duhet të jetë unanime në rastin konkret nëse ne me të vërtetë prodhojmë një president të Republikës së Kosovës, vlerësoj që kemi shkaqe që ta shtyjmë përpara këtë kandidaturë. Vota ime në parim do të jetë ‘për’, në qoftë se dakordohet edhe grupi parlamentar, sepse, të them të drejtën, në kuptimin personal si do të jetë, nuk kam shumë vështirësi të gjej arsye të mos e votoj, të paktën parimisht. Kështu që mendimi im është ky dhe me shumë gjasa kjo do të jetë natyrisht nëse kemi konsensus si grup parlamentar, sepse ju e dini që duhet të ketë edhe shumicë në vendimmarrje”, tha ajo.

E pyetur se si do të vepronte LDK-ja ndaj deputetëve që mund të mos e respektojnë vendimin e partisë për votën ndaj kandidatit për president, Kica-Xhelili tha se në këtë fazë nuk dëshiron të paragjykojë se dikush do të votojë kundër.

“Në këtë fazë deklarohemi për gjërat që janë krejtësisht aktuale, që është kjo. Natyrisht që çdo parti politike i ka disa rregulla të cilat jo aksidentalisht shkruhen dhe jo aksidentalisht kërkohet të zbatohen, mirëpo ekziston një trup brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila gjithmonë ulet dhe i diskuton gjërat në momentin kur ato shpërfaqen”, tha deputetja.

Ajo shtoi se deri në momentin e votimit nuk mund të dihet me siguri se si do të votojë secili deputet.

“Nuk do të doja të paragjykoja në këtë fazë që dikush do të votojë kundër. Pavarësisht mendimeve që mund të jenë shprehur ndryshe, deri në fund ne nuk mund ta dimë, sepse edhe një votë e deklaruar ‘për’ mund të ndryshojë mendim, sikurse një votë e deklaruar ‘kundër’ mund të ndryshojë mendim”, deklaroi Kica-Xhelili.

Ajo tha se për këtë arsye nuk dëshiron të flitet tash për masa eventuale ndaj deputetëve që mund të mos e mbështesin kandidaturën.

“Dhe në këtë fazë nuk dua as të paragjykoj që do të jemi në nevojë që të vlerësojmë diçka të tillë, po as nuk do të doja që tash të flasim për këtë çështje, sepse ka kohë, ka kohë të flasim për këtë”, tha ajo.

Kica-Xhelili u pyet edhe nëse marrëveshja për kandidatin konsensual nënkupton se LDK-ja po e braktis kritikën ndaj qeverisjes së Albin Kurtit.

“Absolutisht jo! Edhe jam shumë e lumtur që unë jam ndër personat që insistoj dhe vazhdoj të insistoj që kemi të bëjmë me një qeverisje të udhëhequr nga një person i cili e ka pak vështirë ta kuptojë sistemin demokratik parlamentar dhe mendoj që ai vazhdon ta ketë këtë problem edhe në mënyrën se si sot e kësaj dite funksionon qeveria në detyrë”, tha ajo.

Sipas saj, Kosova nuk mund të vazhdojë pafundësisht nga një palë zgjedhje në tjetrën dhe, në të njëjtën kohë, të anashkalohet vullneti i qytetarëve.

“Por edhe një çështje tjetër që duhet ta kuptojmë është që ne po shkojmë në zgjedhje që 4-5 herë. Pra, nëse ne jemi në një pikë që duhet plotësisht ta anashkalojmë se çfarë po prodhojnë zgjedhjet në Kosovë, atëherë vihet në pikëpyetje pse duhet të respektohet një sistem demokratik ose pse duhet të respektohet vota e popullit të Republikës së Kosovës”, deklaroi Kica-Xhelili.

Ajo tha se partitë duhet të bëjnë ofertën e tyre politike, por në fund duhet ta respektojnë edhe rezultatin dhe vullnetin politik të qytetarëve.

“Është e jona gjithmonë ta bëjmë ofertën tonë politike dhe të tregojmë pse ne duhet të votohemi para të tjerëve, por në fund ne patjetër duhet ta respektojmë edhe vullnetin politik. Kjo në asnjë formë nuk nënkupton që do të ndalet angazhimi ynë që të ngritet vetëdija e shoqërisë kosovare në raport me mënyrën e keqqeverisjes së një pushteti apo tjetri”, tha ajo.

Kica-Xhelili theksoi se kritikat e saj nuk kanë qenë të drejtuara vetëm ndaj pushtetit aktual, por edhe ndaj qeverive të mëparshme.

“Dhe unë nuk kam qenë kritike vetëm për këtë pushtet, kam qenë kritike edhe për pushtetet e mëparshme në momente të caktuara, kështu që kjo nuk do të ndalet. Mirëpo, duhet të shtrohet pyetja: a ka nevojë Kosova për president apo jo? Domethënë, a është diçka e pambarimshme kjo punë?”, u shpreh deputetja e LDK-së.

Ajo tha se LDK-ja, si parti që e konsideron veten institucionale, duhet t’i japë Kosovës presidentin, pasi qytetarët presin funksionalizimin e institucioneve dhe jo zgjedhje të vazhdueshme.

“A duhet ne si parti politike, megjithatë e njohur si institucionale, t’i japim Kosovës president kur populli i Republikës së Kosovës e pret këtë? Nuk pret që ne pas një palë zgjedhjeve të shkojmë në zgjedhje të tjera. Pret që – jo pak kush, natyrisht – pret që ne t’i japim ecuri të mbarë institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Kica-Xhelili.

Megjithatë, ajo insistoi se kjo nuk do të thotë se LDK-ja do ta ndalë kritikën ndaj qeverisë.

“Gjithmonë duke theksuar, duke potencuar që nuk do të ndalemi në kauzën tonë që njerëzit ta kuptojnë që ne nuk po ballafaqohemi me një qeverisje të shëndoshë, përkundrazi. Mirëpo kjo është temë për ditët e tjera, për të cilat nuk do të ndalemi, për të cilat nuk do të ngurroj asnjëherë të flas, cilido që qoftë dikaster ai”, tha ajo.

Kica-Xhelili tha se rrethanat aktuale politike e kanë vendosur LDK-në përballë nevojës për të bërë zgjedhje brenda mundësive që ekzistojnë.

“Por sot po flasim për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës dhe fatkeqësisht – po e potencoj – fatkeqësisht partia e parë është kjo. Partia e parë me të cilën duhet të diskutojmë është kjo. Dhe duke qenë që është kjo dhe jo një parti tjetër që do të doja të ishte Lidhja Demokratike e Kosovës me një fuqi shumë më të madhe parlamentare që ndoshta do të prodhonte një president tjetër, rrethanat janë ato që na imponojnë edhe ne të bëjmë zgjedhje përbrenda suazave në të cilat gjendemi. Dhe këto janë suazat, ky është. opsioni, ky është qëndrimi”, shtoi Kica-Xhelili

Të ngjashme

Të fundit