Këshilli Federal Zviceran ia ka paraqitur parlamentit të këtij shtetit, një kërkesë për ta rritur numrin e ushtarëve të tyre në Kosovë.
Kështu ka bërë të ditur Anne Elisabeth Lugon-Moulin, e cila është ambasadore e Zvicrës në Serbi.
Kjo e fundit është pyetur për raportimet se SHBA’të dhe disa vende mund të zvogëlojnë praninë e tyre ushtarake në Kosovë, për të cilat tha se KFOR’i mbetet i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin, përcjell Gazeta Express.
‘’Qëndrimi i Zvicrës është se KFOR-i mbetet i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin. Personeli aktual prej 215 ushtarakësh zviceranë të vendosur në misionin Swisscoy është kontributi ynë në këtë përpjekje të përbashkët ndërkombëtare. Ky mandat zgjat deri më 31 dhjetor 2026, por Këshilli Federal Zviceran i ka paraqitur një kërkesë Parlamentit Zviceran për ta mbajtur Swisscoy aktiv në Kosovë, dhe madje për ta rritur kontingjentin tonë deri në 300 persona. Parlamenti e miratoi këtë kërkesë në qershor. Prandaj, Zvicra do ta rrisë praninë e saj ushtarake në Kosovë, në vend që ta zvogëlojë atë’’, ka thënë ajo për CordMagazine.






