22.6 C
New York
Monday, May 20, 2024

Buy now

Kërcënime e presion ndaj punonjëseve në Radio Kosova, kërkohet suspendimi i drejtorit Arsim Halili

- Advertisement -

Gazetarja Behare Bajraktari, ish-menaxherja e Administratës së Radio Kosova, Arta Bajrami dhe kryetarja e komisionit disiplinor Zana Spahiu, janë tri punonjëse gra të Radio Televizionit të Kosovës të cilat e kanë denoncuar Drejtorin e Radios, Arsim Halilin, për sjellje skandaloze dhe presion. Lidhur me akuzat e rënda në adresë të Halilit, ka reaguar juristja e medias, Flutura Kusari, duke kërkuar suspendimin e këtij të fundit dhe hetime për të gjitha akuzat e ngritura ndaj Drejtorit të Radio Kosova. Gjithashtu sot përmes një komunikate për media Sindikata e Pavarur e RTK (SPRTK) e kanë cilësuar si alarmante atë që kanë dëgjuar në mbledhjen e Bordit të RTK-së, ku anëtari i Bordit, Besnik Boletini, ka treguar se punonjësja Zana Spahiu, ka dhënë dorëheqje për shkak të presionit të Arsim Halilit.

Ankesat nga punonjës të RTK-Radios në adresë të Drejtorit të Radio Kosovës, Arsim Halilit, s’kanë të ndalur. Ka qenë e para gazetarja dhe autorja e emisionit “ON Air”, Behare Bajraktari, e cila në tetorin e vitit të kaluar e kishte akuzuar Halilin për mbyllje arbitrare të emisionit të saj. Gjithashtu gazetarja Behari kishte denoncuar edhe mënyrën se si ishin larguar gjërat nga zyra pa praninë e saj.

Bajraktari kishte thënë se një ngjarje e tillë ka qenë një prej terroreve më të mëdha që kishte përjetuar si gazetare.

“Që prej se punoj në RTK ky është një prej terroreve më të mëdha ndaj meje si gazetare, duke më kërcënuar dhe shantazhuar në këtë formë dhe formave të tjera. Që prej pasluftës ku gazetarët ballafaqoheshin me masa të rënda, këto janë masat më të dhunshme ndaj gazetarëve dhe ndaj grave për t’ua mbyllur gojën. Rastin e kam denoncuar në polici tashmë”, kishte deklaruar ajo në nëntor 2023.

Ndaj deklarimeve të saj dhe denoncimit në publik, kishte reaguar vetë drejtori Arsim Halili, i cili i kishte cilësuar si trillime deklarimet e gazetares Bajraktari dhe kishte thënë se e njëjta është njoftuar nga Administrata dhe Burimet Njerëzore për bartjen e pajisjeve të punës.

“Përkundër njoftimit, e punësuara nuk e ka zbatuar vendimin dhe e ka mbajtur të bllokuar ish-zyrën e saj, e cila është e nevojshme për sistemimin e burimeve njerëzore të radios nga zyret që janë të mbingarkuara me staf. Të tjerat janë trillime”, thuhej në reagimin e Halilit.

Ankesat për sjelljet e Drejtorit të Radio Kosovës janë rikthyer përsëri. Ish-menaxherja e Administratës së Radio Kosova, Arta Bajrami, në një letër të gjatë të dërguar për Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës, ka akuzuar drejtorin e Radio Kosovës, Arsim Halilin, për presion sistematik. Bajrami thotë se në letrën e dorëheqjes së saj, kishte treguar për shembuj konkret dhe mënyrën që ajo e cilëson si diktatoriale të mënyrë së veprimit nga drejtori arsim Halili.

Ajo në letër thotë se dorëheqja nga pozita e menaxheres ka ardhur si domosdoshmëri për të ndërprerë sulmet e vazhdueshme “si rezultat i udhëheqjes së Arsim Halilit”.

Për këtë letër dhe denoncim të bërë nga Arta Bajrami, ka reaguar juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari. Kusari fillimisht ka reaguar për një komunikatë të lëshuar sot nga Sindikata e Pavarur e RTK-së, ku kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, citohet të ketë thënë se Zana Spahiu si kryetare e komisionit disiplinor është detyruar që të japë dorëheqje për shkak të presioneve të Arsim Halilit.

“Në takimin e djeshëm të Bordit të RTK-së që u moniitorua nga përfaqësuesit e Sindikatës ku ishin prezent edhe Menaxhmenti u diskutua për skandalet e shumta të drejtorit të Radios, Arsim Halili të cilat u ngritën nga vet Bordi i RTK-së. Ndaj drejtorit të Radios, Arsim Halilit u ngritën akuza të rënda me elemente të veprës penale nga drejtuesit e Bordit të RTK-së si: kërcënim, presion, arrogancë, sjellje shumë të kqija, ngritje zëri e rrehje tavoline. Madje nga kryetari i Bordit Besnik Boletini, Arsim Halili u akuzua se për shkak të presionit të tij, Zana Spahiu ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarës së komisionit diciplinor”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga SPRTK.

Kusari ka thënë se është e tmerrshme ajo që shkruhet në njoftimin e SPRTK, lidhur me sjelljet dhe veprimet e drejtorit të Radio Kosovës, Arsim Halili.

“Radio Kosova = Radio Terrori.Nuk po mundem me besu cka lexova nga reagimi i Sindikatës së RTK-së.

Branda një periudhë të shkurtër është parashtruar ankesa e dytë nga një grua – drejtorja e zyrës ligjore së RTK- kundër drejtorit të Radio Kosovës Arsim Halili për presion të jashtëzakonshëm deri në rrahje të tavolinës”, ka shkruar Flutura Kusari.

Juristja Flutura Kusari ka reaguar edhe për letrën e plotë që punonjësa tjetër e RTK-së, Arta Bajrami, ka publikuar duke denoncuar Arsim Halilin për sjelljet e tij dhe ku ka treguar se është detyruar ta lëshojë vendin e punës për shkak të sjelljeve të Halilit. Kusari ka thënë se Halili duhet të suspendohet dhe të hetohet.

“Radio Kosova = Radio Terrori.Vazhdojnë të publikohen informacione nga ish punëtorë që dëshmojnë që Radio Kosova është shndrruar në Radio Terrori për gra.Menaxherja e Administratës dhe Burimeve Njerëzore në RTK-Radio paska deklaru që ka dhënë dorëheqje për shkak të ciklit të sulmeve nga drejtori i Radio Kosova.Kjo është gruaja e tretë që dëshmon për sulmet e përjetuara.Duhet të ketë suspendim të menjëhershëm që të evitohen sulmet e mëtutjeshme ndaj grave dhe hetim për të parë nëse kjo qasje është shndrruar në kulture të punës në radio.Radio Kosova = Radio Terrori”, ka shkruar Flutura Kusari.

Komunikata e plotë ku janë ndarë citate nga bisedat në takimin e Bordit të RTK-së

Alarmante: Kryetari i Bordit, Besnik Boletini: Zana (Spahiu) ka dhënë dorëheqje (nga pozita e kryetarës së komisionit diciplinor) për shkak të presionit të Arsimit (drejtor i Radios).

Në takimin e djeshëm të Bordit të RTK-së që u moniitorua nga përfaqësuesit e Sindikatës ku ishin prezent edhe Menaxhmenti u diskutua për skandalet e shumta të drejtorit të Radios, Arsim Halili të cilat u ngritën nga vet Bordi i RTK-së.

Ndaj drejtorit të Radios, Arsim Halilit u ngritën akuza të rënda me elemente të veprës penale nga drejtuesit e Bordit të RTK-së si: kërcënim, presion, arrogancë, sjellje shumë të kqija, ngritje zëri e rrehje tavoline. Madje nga kryetari i Bordit Besnik Boletini, Arsim Halili u akuzua se për shkak të presionit të tij, Zana Spahiu ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarës së komisionit diciplinor.

Anetarja e Bordit, Arta Berisha tha se Bordit i ka shkuar një ankesë nga Zana Spahiu e cila ka kërkuar që urgjentisht të trajtohet arroganca e Arsim Halilit në raport me të.

Në vazhdim debati ndërmjet Bordit, Arsim Halilit dhe Rilind Gërvallës:

Arta Berisha (nenkryetare e Bordit): Ti Arsim nuk je shef i Zanës, pse asaj me iu kërcënu me tone të ashpra. Kush je ti që i shkon asaj në zyre edhe ia rreh tavolinën. A i din ti përgjegjësitë e tua apo jo?

Besnik Boletini (kryetar i Bordit): Zana  ka dhanë dorëheqje (nga pozita e kryetares sekomisionit diciplinor) për shkak të presionit të Arsimit. Arsim Halili i ka ba presion, madje edhe ia ka rreh tavolinën në zyrën e sa. Ajo është detyru me dhanë dorëheqje nga pozita e kryetares së Komisionit Disiplinor. Prandaj, sjelljet e Araimit kanë qenë tepër të kqija. Pra, akuza e Zanës kundër Arsimti ka të bëj direkt për presion në punë. Madje, Arsim ti ke kërku edhe dosje. A ke të drejt ti me kërku dosje a. Kush je ti që kërkon e hulumton dosje.

Rilind Gervalla (drejtor i TV-se): Unë ia kam tërheq vrejtjen Arsimit për tone të larta kur i ka shku Zanës në zyre edhe është dëgju nëpër korridore te TV-se duke i bërtit asaj. Dhe, kërkoj këtu që të ndalen procedurat që dikujt po i mësyhen për me ia ndërpre kontratën e punës dhe me çdo kusht po arrihet një gjë e tillë.

Albulena Mehmeti (nenkryetare e Bordit):Shkumbin, me këtë presion që ia ka ba Arsimi (Halili) Zanës pa pasë kurrfarë të drejte, çfarë masa ke marrë ti si drejtor gjeneral ndaj Arsim Halilit…? Çfarë masa janë marrë që tu kanë prish mbledhjet nga Arsimi.?

Shkumbin Ahmetxhekaj (drejtor gjeneral): Asgjë….

Albulena Mehmeti: Brravo Shkumbin, bravo, shumë mirë, të lumtë Shkumbin (me nervozizëm).

Dardan Beqiri (anetar i Bordit):  Nëse konsatohet që drejtori i radios, (Arsim Halili) ka ba aso veprime ndaj shefes së Zyrës Ligjore (Zana Spahiu), atëherë ndaj drejtorit të radios duhet me marrë masa shumë serioze. Drejtori gjeneral duhet me marrë masa edhe atë shumë shpejt.

Albulena Mehmeti: Për arsimin kam shumë vërejtje, sepse sjelljet e përbëjnë karakterin e individit. E ndaj tij po raportohen sjellje shumë të kqija

Arsim Halili (drejtor i RTK- Radios): Me pas kanë unë në kry të RTK, ky medium nuk ish sot kështu unë jam për me vendos ligjshmëri dhe sulmet që më bahen sot këtu janë vetvrasje për mu nga ana e Bordit. (fillon e bërtet).

Albulena Mehmeti: Arsim mos fol ma ose çu dil prej mbledhjes.

Besnik Boletini: Ti Arsim je drejtor i Radios e po përzihesh kogja shumë në punë të drejtorit të përgjithshëm dhe drejtorit të TV. Ti shumë ndërhynë në punë të Shkumbinit. Përfundimisht, nuk shkon që çdo mbledhje me prish ti, me fjalë të ashpra e me tensione.(ndërhynë Arsimi), Besnik Boletini – Arsim, pusho ose çu dil prej mbledhjes….

I denuari nga KMSHK (Keshilli i Mediave te Shkruara), Arsim Halili për komente homofobike, tani na del ushtrues recidivist i dhunës verbale ndaj grave për shkak se një akuzë kunder tij për ushtrim të dhunës verbale e kishte bërë para disa muajsh gazetarja, Behare Bajraktari.

Të nderuar kolegë,

Sindikata e RTK-së në vazhdimësi e ka ngritur zërin për presionet, shantazhet persekutimet deri me largime nga puna, përmes proceseve të montuara, antiligjore e antihumane që po bëhen nga persona te caktuar në Menaxhment të RTK-së  ndaj punëtorëve.

Fatkeqësisht për realizimin e këtij persekutimi sistematik po përdoren disa individë emrat e të cilëve tash më janë të njohur për secilin të punësuar në RTK.

Për proceset e montuara, orkestruesit dhe ekzekutuesit e tyre Sindikats do të flas në ditët në vijim.

Me respekt,

Kryesia e SPRTK-së

Prishtinë. 8 Maj 2024

 Letra pa ndërhyrje e Arta Bajramit:

Të nderuar anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

Po marr shkas nga zhvillimet e fundit dhe ankesa e ish koleges time znj. Zana Spahiu, për t’u drejtuar me këtë email, me qëllim që të prezantoj edhe unë para jush, presionin sistematik të ushtruar ndaj meje nga Arsim Halili.

Sic mund të jeni të informuar, unë më datë 22.03.2024 kam dhënë dorëheqje nga pozita e Menaxheres së Administratës dhe Burimeve Njerëzore në RTK-Radio, përmes një emaili të dërguar tek Drejtori i Përgjithshëm z. Ahmetxhekaj. Në emailin e dorëheqjes, ilustroj me shembuj konkret mënyrën diktatoriale të udhëhejes së Arsim Halilit nga pozita e Drejtorit të RTK-Radios. Dorëheqja ime nuk qe dorëzim ndaj presionit të ushtruar në vazhdimësi, ashtu sic mund të nënkuptohet (gabimisht), por qe domosdoshmëri e ndërprejes së ciklit të sulmeve e kundërsulmeve të vazhdueshme si rezultat i udhëheqjes se Arsim Halilit.

Qysh nga marrja e detyrës në muajin Prill të vitit të kaluar, Arsim Halili ka shprehur një mosdurim të vazhdueshëm ndaj meje, duke shfrytëzuar cdo mundësi që i ipej për të më sulmuar. Pamvarësisht që “lufta” e Arsim Halilit kishte motive krejtësisht personale, konsideroj që veprimet e mija profesionale e kanë nxitur këtë reagim të tij. Në fillimet e mandatit të tij ka kërkuar disa herë dosje personale të të punësuarve, të cilat unë kam refuzuar të ja dorëzoj si të tilla ngase në dosje personale ka edhe dokumentacion të natyrës konfidenciale e të mbrojtur me ligjet në fuqi. Si rezultat i kësaj, në “tërbimin” e Arsim Halilit na është dashur të përgadisim “Raport të detajuar të avancimeve” me të gjitha dokumentacionet përcjellëse të skanuara. Ju rikujtoj se deri në ditën e dorëheqjes time, nuk është ndërmarrë asnjë veprim përsa i përket gjetjeve të raportit, të cilat kanë qenë disa herë edhe subjekt i auditimit. Unë vazhdoj të jem e shqetësuar me faktin që një numër aq i madh i dokumenteve me informata të ndjeshme personale është përcjellë në formën elektronike.

Në muajin maj të vitit të kaluar, teksa diskutonim për kompenzimin e ditëve të festave në kohën kur Radio përgadiste skemën e programit veror, në diskutim e sipër mbi një punëtore në ditët e fundit të shtatëzanisë, Arsim Halili thotë (citoj): “ajo është moderatore e mirë, duhet gjetë mënyra për me i eksploatu më shumë këta punëtorë”. Meqë RTK Radio nuk është rafineri e naftës, eksploatimi i punëtorëve nënkupton abuzim, dhe këtë mendim e kam shprehur edhe para Arsim Halilit i cili në atë kohë nuk përgjigjet. Disa ditë më vonë, më ndalon qasjen e veturës familjare në parkingun e Radio Kosovës pa paralajmërim, dhe me arsyetimin se une nuk kam leje të vozitjes. Ju rikujtoj se hapësira ku parkohen veturat në rrethinën e objektit të RTK-Radios është pronë komunale dhe ju informoj se vetura ime familjare nuk ka qëndruar më shumë se 10 min në ditë e parkuar, kjo përgjatë kohës sa bashkëshorti im më priste derisa dilja nga zyra. Me këtë ndërpreje të qasjes, Arsim Halili më ka vështirësuar edhe qasjen në vendin e punës, shqetësim ky të cilin e pata ngritur edhe me Z. Ahmetxhekaj e i cili nuk ka ndërmarrë asgjë.

Tutje, kur një i punësuar përmes emailit zyrtar ka kërkuar zgjatjen e pushimit pa pagesë (në përputhje me Marrëveshjen Kolektive të RTK-së) dhe kur unë në cilësinë time zyrtare kam rekomanduar aprovimin e kërkesës, nga Arsim Halili kam pranuar telefonatë me ton të ashpër dhe fjalët (citoj): “Kush je ti me dhonë rekomandime”. Ju informoj se kjo kërkesë është refuzuar dhe konsideroj se kjo nuk është ilustrim i “kthimit të ligjshmërisë në RTK”.

Në muajin shtator 2023, Arsim Halili ka ushtruar presion të jazhtëzakonshëm për mosvazhdim të kontratave të punës për disa të punësuar në RTK-Radio. Meqë për të punësuarit përvec që nuk kishte asnjë procedurë paraprake për mosvazhdim (sipas dispozitave të ligjit të punës) dhe për të punësuarit vecse kishim kërkesën e mbikqyrëve të drejtëpërdrejt për vazhdim të marrëdhënies së punës bazuar në nevojat e redaksive përkatëse dhe performancën e të punësuarve, unë në përgjegjësinë profesionale informoj Arsim Halilin për pamundësinë e mosvazhdimit të marrëdhënies së punës. Në tendencën e tij për të më fajsuar mua për (citoj) “mos njoftim me kohë për skadim të kontratës” ai kërkon inicim të procedurës disiplinore ndaj meje. Ju informoj se të apostrofuarve u janë vazhduar kontratat duke shkelur dispozitat ligjore e pikërisht kjo është edhe baza e dënimit të fundit nga inspektoriari i punës (për këtë pikë do të shkruaj sërish më poshtë).

Arsim Halili me qëllim që të vazhdojë ushtrimin e presionit ka kërkuar që të ketë evidencën e pranisë në punë për stafin e njësisë të cilën unë e kam pasur në menaxhim (përfshirë edhe mua). Ju informoj se evidencat e stafit të Njësisë së ABNJ-së në Radio përherë janë monitoruar nga hierarkia gjegjëse, përkatësisht nga udhëheqësi i ABNJ-së të cilit/es i raportoj. Fatkeqësisht, ushtruesi i detyrës i udhëheqësit të ABNJ-së duke mos pretenduar të dëmtojë raportet personale apo profesionale me Arsim Halilin, ka aprovuar cdo kërkesë, duke përfshirë edhe atë të dërgimit të evidencave javore për ish stafin tim. Marrë për bazë këtë afërsi, Arsim Halili ka ndërprë pothuajse cdo formë të komunikimit me mua, duke i kaluar të gjitha kërkesat te Bujar Krasniqi. Poashtu, shpeshherë Arsim Halili ka “diktuar” emailat të cilat duhet të dërgohen nga emaili i zyrës, për punëtorë të caktuar, duke ndërhyrë kështu në mënyrë flagrante në punën e Njësisë të cilën e kam pasur në menaxhim.

Në procesin e vlerësimeve të fundvitit, Arsim Halili bën shkeljen e radhës duke vandalizuar formularët e vlerësimeve me X-a të mëdhenj, edhe aty ku nuk i kërkohet sipas rregullores të jetë i përfshirë në proces. Ai kërkon të bëhet rivlerësim për një pjesë të madhe të stafit të RTK-Radios, dhe pamvarësisht që e kam njoftuar udhëheqësin tim si dhe kam përcjellur raport zyrtar në lidhje me këtë proces, “Rivlerësimet” janë bërë, duke ulur notën mesatare të punëtorëve të cilët nuk kanë nënshkruar rivlerësimet dhe rrjedhimisht i tërë procesi është i pavlefshëm. Po në këtë proces, është bërë një vlerësim skandaloz për punëtorë duke përfshirë edhe znj. Flora Durmishi, me kontribut të cmueshëm shumëvjecar në RTK-Radio. Konfirmoj se asnjë ankesë e të vlerësuarve sipas Rregullores në fuqi nuk është marrë për bazë.

Arsim Halili ka përdorur mekanizmin e masave disiplinore për t’u hakmarrur ndaj cdokujt me të cilin/en nuk ka mundur të i nënshtrojë. Vecoj në këtë rast rastet e Haki Kikaj, ish redaktorit përgjegjës i cili përkundër dorëheqjes së tij nga pozita, me insistimin e Arsim Halilin e mosrefuzimin e ud. Kryeredaktorit z. Alihajdaraj, iniciohet edhe për komision disiplinor, pamvarësisht se sipas rregullores në fuqi nuk ka bazë të mjaftueshme për të argumentuar shkeljen.

Ngjajshëm vepron edhe me Fatos Hoxhën të cilit “verdiktin” ja shqipton përmes mbledhjes së “dëshmive” qysh para inicimit të rastit. Në dëshmitë e mbledhura nga Arsim Halili për këtë rast janë bidesat private mes punëtorëve në rrjete sociale, e që përvec që është shkelje e privatësisë, është edhe jashtëzakonisht joprofiesionale. Në përgjegjësinë time zyrtare, unë kam mbledhur deklaratat relevante sic parashihet me rregulloret në fuqi, por më është kërkuar deklaratë me shkrim se pse nuk i paskëm përfshirë edhe bisedat private të sipërpërmendura. Theksoj që në deklarat e grumbulluara, verifikohet cdo gjë dhe në asnjë moment nuk ka kundërshtim mes asaj që është deklaruar dhe “dëshmive” të Arsim Halilit. Përkundër hezitimit të ud Kryeredaktores znj. Loshi, Fatos Hoxhës i shqiptohet masa e degradimit (në kundërshtim me dispozitat ligjore pasi i njejti nuk ka pasur asnje vërejtje paraprake) ngase unë kam qenë dëshmitare kur Arsim Halili i është kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë znj. Loshi duke i thënë (citoj) “unë nuk mund të bashkëpunoj me njërëz që nuk pajtohen me mua”.

Ju rikujtoj se Arsim Halili duke ushtruar presion të jashtëzakonshëm ka autorizuar me përgjegjësi të cilat nuk janë as në katalogun e vendeve të punës një kolegë në Radio i cili është me kualifikim të mesëm akademik. Ky autorizim është bërë për pozitën e udhëheqësit të Produksionit, njëra ndër pozitat më të rëndësishme në RTK-Radio.

Disa ditë para dorëheqjes time, pranoj një email (në të cilin përfshihet edhe z. Ahmetxhekaj) nga Arsim Halili me tone jashtëzakonisht kërkcënuese, duke më akuzuar për “anashkalim dhe sjellje skandaloze” meqë sipas tij kam bashkëpunuar me inspektoriatin e punës pa e njoftuar atë. Ju rikujtoj se unë i përgjigjem udhëheqësit të ABNJ-së i cili ka qenë i njoftuar në kohë reale për cdo vizitë inspektuese dhe ndaj kësaj akuze të Arsim Halili, nuk është ndërmarrë asnjë veprim.

Krejt në fund, më lejoni të ju njoftoj se në kohën kur kam dhënë dorëheqje unë kam qenë në pushim mjekësor për shkak të shqetësimeve serioze kardiologjike të shkaktuara nga stresi. Edhe në këtë situatë, Arsim Halili ka vazhduar të ushtrojë presionin e tij dhe së fundmi këtë e ka bërë edhe përmes ud. Udhëheqësit të ABNJ-së Bujar Krasniqi.

Ju njoftoj se kur jam punësuar në RTK në vitin 2018, unë kam qenë plotësisht e përgaditur në aspektin profesional dhe akademik për të ushtruar detyrën karshi përgjegjësive kontraktuale. Këtë përgaditje e kam ndërtuar me mund dhe punë të vazhdueshme dhe jam e mirëpajisur për të mbrojtur parimet profesionale sepse ato i konsideroj vlera të cdo organizate. Arsyeja e dorëheqjes time ka të bëjë pikërisht me faktin që presionet sistematike të Arsim Halilit më kanë pamundësuar të ushtroj profesionin tim dhe kjo është kufiri mbi të cilin nuk lejoj të kaloj. Ky presion sistematik i cili ka marrë përmasa personale, më ka shkaktuar jo vetëm pengesa në mbarëvajtjen e punëve, por edhe probleme shëndetësore. Konsideroj se një atmosferë e tij nuk duhet të kultivohet në asnjë institucion, aq më pak në Transmetuesin Publik të Kosovës.

P.S. Ju rikujtoj se kjo është hera e parë që po ju drejtohem ngase në asnjë moment nuk kam pretenduar të tejkaloj hierarkinë organizative të cilën e respektoj shumë. Ky email më shumë i shërben qëllimit të verifikimit të asaj që keni ngritur në takimin tuaj të përbashkët.

Poashtu, e konsideroj dëshpërues dhe shqetësues faktin që z. Ahmetxhekaj nuk e ka konsideruar të nevojshme të diskutojë me mua për arsyet e dorëheqjes por vetëm e ka aprovuar të njejtën.

P.P.S. Nga mungesa e plotë e respektit që kam për të, Arsim Halilit i drejtohem me emër e mbiemër pa parashtresa dhe pa referenca të pozitës.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit