Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka kritikuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me protestën e paralajmëruar për 1 shtator.
Kërçeli ka thënë se protesta, e cila përkon me ditën e fillimit të procesit mësimor, mund të ndikojë edhe më shumë në rëndimin e komunikacionit në kryeqytet.
Sipas tij, Rama po tenton ta arsyetojë bllokimin e komunikacionit me protestën që pritet të mbahet.
Postimi i plotë:
Përparimi e ka ftuar protestën për nesër, më 1 shtator. Pikërisht nesër, me fillimin e procesit mësimor, si zakonisht do të rëndohet edhe më shumë komunikacioni në kryeqytet.
Tash, bllokimin e komunikacionit po tenton ta arsyetojë me gjoja protestën që do të mbahet.
Përparim, qytetarët e kryeqytetit nuk e meritojnë këtë që po e përjetojnë përditë nga qeverisja juaj.
Prishtina nuk ju ka votuar që të shtyni agjenda kundër qeverisë nacionale. Ju ka votuar për të qeverisur me Prishtinën, për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve dhe për ta bërë kryeqytetin më funksional.
Mos e përdorni Prishtinën për beteja politike. Kryeqyteti ka nevojë për punë, jo për arsyetime.






