Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me rastin e vogëlushit 3vjecar që u keqtrajtua nga edukatoret në kopsht në qytetin e Fushë Kosovës.
Ajo ka thënë se dhuna psiqike dhe fizike ndaj fëmijës 3-vjeçar në kopshtin publik “Gëzimi Ynë”, është e dënueshme dhe nuk tolerohet.
“Dhuna psiqike dhe fizike ndaj fëmijës 3 vjeçar në njërin nga kopshtet publike të Komunës së Fushë Kosovës, është e dënueshme dhe nuk do të tolerohet. Përderisa tashmë organet e drejtësisë janë duke trajtuar rastin, Komuna e Fushë Kosovës përmes Qendrës për Punë Sociale, duhet të ofrojë çdo shërbim të saj në ndihmë të fëmijës dhe familjes”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Sipas Ministres, rastet e tilla të mos përsëriten, komunat duhet të vetëdijesohen për rëndësinë që kanë shërbimet në përgjithësi.
Postimi i plotë:
Dhuna psiqike dhe fizike ndaj fëmijës 3 vjeçar në njërin nga kopshtet publike të Komunës së Fushë Kosovës, është e dënueshme dhe nuk do të tolerohet.
Përderisa tashmë organet e drejtësisë janë duke trajtuar rastin, Komuna e Fushë Kosovës përmes Qendrës për Punë Sociale, duhet të ofrojë çdo shërbim të saj në ndihmë të fëmijës dhe familjes.
Që rastet e tilla të mos përsëriten, komunat duhet të vetëdijesohen për rëndësinë që kanë shërbimet në përgjithësi, dhe shërbimet sociale në veçanti, gjegjësisht qendrat për punë sociale.
QPS-të bashkë me shkollat dhe kopshtet, dhe jo vetëm, janë institucionet të cilat mund të parandalojnë rastet e tilla.
Ministria e Drejtësisë, në përputhje me kompetencat – përmes Departamentit të Shërbimeve Sociale dhe Mbrojtjes së Fëmijëve, do të ofrojë mbështetjen e nevojshme, për interesin më të mirë të fëmijës dhe familjes!