KEDS gjobitet me 65 mijë euro për përdorimin e njehsorëve me verifikim të skaduar

- Advertisement -

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se, përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka vazhduar kontrollet ndaj njehsorëve elektrikë në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë inspektimeve të fundit janë identifikuar 13 njehsorë elektrikë që ishin në përdorim edhe pse u kishte skaduar afati i verifikimit metrologjik.

Për këtë shkelje, operatori për shpërndarjen e energjisë elektrike, KEDS, është ndëshkuar me 13 gjoba administrative, me vlerë totale prej 65 mijë eurosh.

MINTI thekson se aktivitetet e mbikëqyrjes do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim garantimin e matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe zbatimin e legjislacionit dhe standardeve metrologjike në fuqi.

Sipas ministrisë, ky veprim është pjesë e përpjekjeve për të forcuar mbikëqyrjen e tregut dhe për të siguruar respektimin e standardeve ligjore në sektorin e matjes së energjisë elektrike.

Njëkohësisht, MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që posedojnë dëshmi ose kanë dyshime lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë që t’i raportojnë rastet tek institucionet kompetente, në mënyrë që të ndërmerren veprimet e nevojshme.

Të ngjashme

Të fundit